Sektori i industrisë përpunuese pëson rënie për 33 për qind

10:56 | 13 June 2020

Mbi 33 për qind rënie në sektorin e industrisë përpunuese.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar statistikat afatshkurtra të Industrisë, duke paraqitur indeksin e vëllimit industrial për tre mujorin e parë të këtij viti, ku thuhet se krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2019, rritje ka pasur në sektorin e furnizimit me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 2.79%.

Ndërkaq, ulje kishte në sektorin e industrisë nxjerrëse me 32.27%, sektorin e industrisë përpunuese me 33.73%; sektorin e furnizimit me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave me 11.39%.

Sipas ASK-së, kjo anketë, me të dhënat që ofron, synon ta paraqesë ecurinë në industri – nxjerrëse, përpunuese, furnizim me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, dhe furnizim me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave, në periudha tremujore, nëpërmjet të cilave kuptohet zhvillimi i ciklit në industri.

“Në tremujorin e parë të vitit 2020, krahasuar me tremujorin e katërt 2019, rritje ka pasur në sektorin e furnizimit me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, me 2.79%. Ndërkaq, ulje kishte në: sektorin e industrisë nxjerrëse me 32.27%; sektorin e industrisë përpunuese me 33.73%; sektorin e furnizimit me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave me 11.39%. Krahasuar TM1 2020 me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM1 2019), ka pasur rritje në: sektorin e industrisë nxjerrëse me 38.53%; sektorin e furnizimit me rrymë, gaz dhe ajër të kondicionuar me 3.67%; sektorin e industrisë përpunuese me 2.14%. Ndërsa, ulje kishte në sektorin e furnizimit me ujë, veprimtaritë menaxhimit të mbeturinave me 2.00%”, thuhet në komunikatë.

Komento: