Sektori privat sfidohet nga rritja e pagës minimale

09:24 | 04 May 2019

Rritja e pagës minimale sfidon sektorin privat.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që paga minimale në Kosovë të jetë 300 euro në muaj dhe jo 250 sa është kërkuar para dy vjetësh.

Kjo kërkesë nga kryetari i BSPK-së, Avni Arifi, është bërë më 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punës. Për shkak të rritjes së çmimit të shportës bazë të qytetarit, ka thënë ai, është rritur edhe kërkesa e tyre për pagën minimale, nga 250 në 300 euro.

Paga minimale në Kosovë, ndonëse sipas Ligjit të punës do të duhej të përcaktohej çdo vit, që nga viti 2011 vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Këshilli Ekonomik-Social, i cili përfshinë përfaqësuesit e punëtorëve, bizneseve dhe institucionet e vendit, qysh në vitin 2017 kishte propozuar që paga minimale të rritet, mirëpo propozimet e dhëna deri më tani nuk kanë hyrë në fuqi.

Se rritja e pagës minimale është e domosdoshme e thotë edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, por ai nuk përmend ndonjë shumë të caktuar të saj. Reçica tregon se vitin 2017, është propozuar nga Këshilli Ekonomik Social që paga minimale të jetë 250 euro në muaj, propozim ky që në atë kohë është dërguar për miratim në Qeverinë e Kosovës, por që nuk është miratuar.

Kurse, aktualisht, ministri Reçica thotë se është në pritje të merret ndonjë vendim nga Këshilli Ekonomik Social për nivelin e pagës minimale në vend.

“Nuk mund të them sot sa mund të jetë reale, 220-250 apo 300, sepse janë disa kritere që realisht përcaktojnë mënyrën se si mund të vihet deri te propozimi për pagën minimale. Unë, personalisht, nuk jam i kënaqur me vlerën e pagës minimale prej 250 eurosh. Por, ne duhet të mësohemi që të nxjerrim vendime dhe propozime, të cilat mund t’i përballojë edhe sistemibuxhetor fiskal i vendit. Dhe, nuk mund t’i jap liri vetes të them se e ka mirë apo keq BSPK-ja, në këtë drejtim. Unë mendoj se rekomandimi që nxirret për pagën minimale, duhet të jetë i bazuar”, thotë Reçica.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit konsiderojnë kërkesa për rritjen e pagës minimale në Kosovë është në kundërshtim me gjendjen ekonomike – sociale.

Berat Rukiqi, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, i cili njëherësh është edhe përfaqësues në Këshillin Ekonomik Social, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesa e BSPK-së është vështirë e realizueshme edhe pse, sipas tij, punëdhënësit në sektorin privat janë të gatshëm të paguajnë këtë vlerë të pagës.

“Nëse kushtet ekonomike do të ishin më të mira, vlera do të duhej të ishte edhe më e lartë. Mirëpo, në rrethanat që jemi ne, nuk mund të dalim jashtë vendeve të rajonit dhe indikatorëve makro-ekonomikë që i kemi. Nuk besoj se kjo është problematikë për shumicën e sektorëve”, thekson Rukiqi.

Ali Dragusha,ish-përfaqësues i sindikatave të punëtorëve, thotë se kërkesa për rritjen e pagës minimale është e pamenduar dhe vlerësuar mirë. Ai thotë se vlera duhet të jetë e arsyeshme edhe për institucionet qeveritare, sindikatën, por edhe punëdhënësit.

“Në formën qysh është kërkuar nga BSPK-ja, unë mendoj se kjo krijon kundërefekte dhe është shumë vështirë që të pajtohen, edhe Qeveria, edhe punëdhënësit. Duhet të jemi të arsyeshëm, të bëhet një vlerësim i arsyeshëm, të jepet një propozim i arsyeshëm për të finalizuar mandej bashkërisht përmes Këshillit Ekonomik Social, në mënyrë që ajo vlerë të realizohet”, vlerëson Dragusha.

Ai dyshon se punëdhënësit në sektorin privat mund të realizojnë një pagë të tillë. Sidomos kur dihet se në këtë sektor, sipas tij, shumë punëtorë nuk kanë kontrata të punës, pasi punëdhënësit nuk i paraqesin ata për t’u ikur pagesave dhe kontributeve për shtetin.

“Në sektorin privat, në të gjitha format shkelen të drejtat e punëtorëve. Kështu që është shumë vështirë që ky sektor ta zbatojë çfarëdo page minimale që përcaktohet nga Këshilli Ekonomik Social, sepse kemi mangësi dhe neglizhencë edhe nga Inspektorati i punës, kemi mangësi dhe neglizhencë edhe në gjykata”, shton Dragusha.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në muajin mars ka kërkuar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe palët tjera të përfshira në këtë proces, që të diskutohet për pagën minimale. Ai ka thënë se e përkrahë çdo rekomandim të Këshillit Ekonomik Social për rritje të pagës minimale, e cila nuk ka pësuar rritje që nga viti 2011.

Komento: