Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas aksionit të Policisë në veri ku u sekuestrua armatim dhe pajisje për trazira e për prodhim të jashtëligjshëm të kriptovalutave.
Me anë të një një postimi në Facebook Sveçla ka thënë se ky është edhe një rast shtesë “që dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi”.
“Mirëpres aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veriun tonë, që rezultoi me sekuestrimin e armatimit të shumtë e të ndryshëm, të pajisjeve për trazira e të pajisjeve për prodhimin e jashtëligjshëm të kriptovalutave, duke u parandaluar kështu sulme të mundshme ndaj zyrtarëve tanë, qytetarëve apo institucioneve tona. Ky është edhe një rast shtesë që dëshmon se po zgjatet lista e kriminelëve e terroristëve që po strehohen në Serbi.”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka vlerësuar se beteja në luftimin e terrorizmit po bëhet me sukses dhe se nuk ka kthim prapa.
“Beteja në luftimin e terrorizmit teksa po vijon me sukses do të jetë e pandalshme dhe nuk ka kthim prapa. Vendi ynë nuk do të jetë asnjëherë strehë e kriminelëve e terroristëve që cenojnë sigurinë e qytetarëve, zyrtarëve apo institucioneve tona”, ka shkruar Sveçla.