Sekuestrohet armë zjarri dhe municion në pikëkalimin kufitar Qafë Prush

10:26 | 03 Shkurt 2026
sekuestrohet-arme-zjarri-dhe-municion-ne-pikekalimin-kufitar-qafe-prush

Në pikëkalimin kufitar Qafë Prush, në dalje drejt Shqipërisë, janë sekuestruar armë zjarri dhe municion.

Dogana e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunimin me Policinë dhe drejtorinë kundër krimit të organizuar kanë zhvilluar një operacion, e ku në një automjet janë gjetur armët.

“Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, ka zhvilluar një operacion kontrolli ndaj një automjeti në pikëkalimin kufitar Qafë Prush, në dalje drejt Republikës së Shqipërisë. Gjatë kontrollit të detajuar është konstatuar prania e një arme zjarri pa numër serik, e fshehur në pjesën e brendshme të automjetit. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar municion i kalibrave të ndryshëm rreth 120copë, si dhe një shumë parash në valutën euro. Rasti i është dorëzuar Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar për vazhdimin e hetimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Dogana e Kosovës vazhdon të zbatojë masa të shtuara kontrolli dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional për parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme dhe rritjen e sigurisë kufitare”, njofton Dogana.

Komento: