
Rexhep Selimi deklaroi të mërkurën (18 shkurt 2026) para trupit gjykues në Hagë se lufta çlirimtare e Kosovës ishte rezultat i domosdoshmërisë dhe se historia nuk mund të rishkruhet përmes proceseve gjyqësore.
Duke iu drejtuar trupit gjykues, Selimi tha se Serbia kishte shfaqur hapur qëllimet e saj ndaj shqiptarëve dhe se krijimi i UÇK-së ishte një përgjigje ndaj represionit.
Thaçi mbyll deklaratën në Hagë: Ekziston vetëm një e vërtetë – jam i pafajshëm
“Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t’u vrarë, apo të iknim nga shtëpitë tona? UÇK nuk u krijua nga dëshira, por nga nevoja”, tha ai.
Selimi theksoi se bashkëluftimi me Adem Jasharin për të përbën nderin më të madh.
“Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. UÇK nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare”, u shpreh ai.
Ai shtoi se mbështetja e NATO-s ndaj UÇK-së ishte dëshmi se veprimet e tyre ishin të drejta.
“Jam i bindur se bëmë gjënë më të duhur. Edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë. Prandaj na mbështeti NATO-ja”, tha Selimi.
Veseli në Hagë: E di se kush jam, drejtësia mund të vonohet por jo të mohohet
Në fjalimin e tij, Selimi kritikoi Prokurorinë për, siç tha, pretendime të pabazuara dhe për përpjekje për ta ngarkuar Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së me përgjegjësi.
Ai citoi Prokurorinë duke thënë se Shtabi i Përgjithshëm kërkonte pavarësinë dhe se nuk do ta mbështeste autonominë, duke e cilësuar këtë qasje si problematike.
Sipas tij, po ashtu është e gabuar përpjekja për ta ndarë popullin e Kosovës në dysh, mes atyre që e donin pavarësinë dhe atyre që kërkonin autonomi.
“Në Kosovë nuk ka pasur asnjë parti që ka kundërshtuar pavarësinë, apo që ka kërkuar autonomi nën Serbinë”, shtoi Selimi.