
Pas 1 ore pauzë deputetët e Kuvendit janë rikthyer në seancë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi iu është përgjigjur ofertës së ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni për të vazhduar koalicioni dhe të mos votohet mocioni i qeverisë.
Selimi tha se Quni morri përgjigjen për këtë nga Agim Veliu përpara se të marrë përgjigjen e Vetëvendosjes dhe kryeministrit Kurti.
“E çmojmë vullnetin e Qunit për të vazhduar si pjesë e qeverisë Kurti. Gjatë pauzës si grup parlamentar ishim duke menduar sepse neve na u drejtua qoftë si subjekt, qoftë si grup parlamentar të reflektojmë dhe me konsideratën për këtë ishim duke diskutuar dhe në atë kohë, Quni morri përgjigje nga Veliu në media i cili tha se Quni nuk ka pasur autorizim të thotë diçka të tillë dhe thotë se ky nuk është qëndrim i LDK-së. Mocioni duhet të votohet, qeveria duhet të rrëzohet. Para se t’i përgjigjemi ne Qunit, iu përgjigj vet z.Veliu. Pra nëse doni vërtetë t’i hapni rrugë këtij diskutimi, atëherë kemi veç një shancë, jo duke kërkuar që brenda pauzës së njëjtës seancë ta gjejmë një zgjidhje, por nëse doni zgjidhje, ose t’i hyjmë kësaj rruge, atëherë kemi veç një shancë. Ta votoni kundër-mocionin e mosbesimit”, tha Selimi.