Selimi intervistohet nga Gjykata Speciale, ky është reagimi i OVL e UÇK-së – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Selimi intervistohet nga Gjykata Speciale, ky është reagimi i OVL e UÇK-së

23:44 | 06 Shkurt 2019

Komandanti i Përgjithshëm i Shtabit të UÇK-së, Sylejman Selimi, sot është intervistuar nga Gjyakata Speciale.

Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media, avokati i tij mbrojtës, Tomë Gashi, i cili ka thënë se rasti i ftesave ka qenë shumë specifik deri në ditën e sotme.

“Sylejman Selimi ka qenë i ftuar që të jap dëshminë e tij, e ka dhënë deklaratën në orën 09:00 në zyret e Speciales në Prishtinë. Ai ka qenë i ftuar me ftesë të rregullt, nuk ka qenë kërkesa të merret në pyetje në Hagë. Ai i ka dhënë gjitha shpjegimet që janë kërkuar prej tij”, ka thënë Gashi.

Sipas avokatit, Selimi është ftuar në cilësinë e të dyshuarit, prandaj nuk mund të bëhet publike se për çfarë është marrë në pyetje.

E në lidhje me ftesat e Gjykatës Speciale ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në një prononcim për lajmi.net është shprehur se këto ftesa po ndodhin më tepër ‘për të bërë filma’, dhe për ta arsyetuar vetën.

“Për ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës, jo që këto ftesa janë të dënueshme dhe të pakuptueshme, por ne besojmë në punën dhe veprat e Komandantit të Përgjithshëm, Sylejman Selimit”, është shprehur Gucati.

Ai gjithashtu është shprehur se Selimi posa është liruar nga një burg i padrejtë dhe tash ftohet nga Gjykata speciale.

“Sylejman Selimi posa është liruar nga burgu ku ka kryer një obligim të padrejtë dhe tash ftohet nga Gjykata Speciale dhe intervistohet. Për ne është e papranueshme, sepse ne besojmë në punën, vepren dhe pafajësinë e gjithë komandantëve”, tha Gucati.

I pyetur nga lajmi.net nëse mund të ketë reagime të organizuara të veteranëve të luftës siç janë protestat, Gucati është shprehur se nuk përjashtohet mundësia që të përdoret edhe ky mjet.

“Unë gjithmonë kam thënë se nuk e preferoj, por mundësia nuk përjashtohet që të ketë edhe protesta, nuk po them sot, nesër apo një muaj, por ajo nuk përjashtohet, sepse po detyrohemi të dalim dhe të protestojmë”, tha Gucati.

Ai gjithashtu është shprehur se asgjë nuk mund të ndryshohet me anë të këtyre protestave, por vetëm të ngritet zëri ndaj miqve ndërkombëtar.

“Smundemi të bëjmë asgjë me protesta, por ta ngrisim zërin nëpërmjet protestave dhe t’i tregojmë miqëve tanë ndërkombëtarë që kjo Gjykatë Speciale është më tepër e fabrikuar nga Serbia dhe Rusia”, tha Gucati.

Ai gjithashtu është shprehur se Gjykata Speciale po tenton të barazojë viktimën me kriminelin.

“Gjykata Speciale po tenton të barazojë viktimën me kriminelin. Ne nuk jemi kriminelë, kemi qenë në tokën tonë, në vendin tonë dhe në pragun e shtëpisë tonë, kemi luftuar për vendin dhe popullin tonë, nuk kemi bërë krime të luftës”, tha Gucati në fund.

Komento: