
Ish-kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka reaguar lidhur me procesin zgjedhor, duke përmendur manipulimin masiv të votave si në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, ashtu edhe në ato të 28 dhjetorit 2025.
Në një postim publik, Selmanaj ka deklaruar se Kosova po përballet me “manipulim industrial të votave”, duke kujtuar se reagimet e tij dhe të disa ish-deputetëve për rinumërim të përgjithshëm pas zgjedhjeve të shkurtit ishin injoruar plotësisht nga institucionet përgjegjëse.
“Menjëherë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 pata reaguar publikisht për dyshimet e mia për manipulim votash në Qendrat Komunale të Numërimit në gjithë Kosovën, si dhe në përfaqësitë diplomatike dhe votat me postë, por u injoruam totalisht”, ka shkruar Selmanaj.
Sipas tij, mungesa e vullnetit institucional nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe subjektet politike ka krijuar hapësirë që e njëjta situatë të përsëritet edhe në zgjedhjet e dhjetorit. Ai thekson se ajo që po vërtetohet aktualisht në Prizren nuk është rast i izoluar.
“E them me bindje se ajo çka po vërtetohet në komunën e Prizrenit nuk është rast i vetëm, por një dukuri që ka ndodhur në gjithë Kosovën”, ka theksuar ai.
Selmanaj ka bërë të ditur se rinumërimi i votave në Prizren ka nxjerrë të dhëna shqetësuese, ku sipas tij, votat u janë prekur apo ndryshuar të gjithë kandidatëve, pa përjashtim dhe pa dallim partie.
“Disa me dallime shumë të mëdha e disa më të vogla, por asnjë nuk i ka shpëtuar abuzimit apo ndryshimit të vullnetit qytetar”, ka deklaruar Selmanaj, duke shtuar se kjo krijon dyshime për një skenar të mirëorganizuar të abuzimit masiv.
Ai ka pranuar se këtij procesi nuk i ka shpëtuar as lista e kandidatëve të LDK-së, përfshirë edhe vetë atë, por është distancuar nga çdo person që ka tjetërsuar vullnetin e qytetarëve.
“Si kandidat për deputet dhe si kryetar i Degës së LDK-së në Prizren distancohem tërësisht nga kushdo që ka marrë guximin të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve”, ka shkruar Selmanaj.
Në reagimin e tij, ai u ka bërë thirrje KQZ-së, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera kompetente që të ndërmarrin veprime konkrete për të rikthyer rregullsinë e procesit zgjedhor dhe për t’i ndëshkuar përgjegjësit.
“Vota e secilit qytetar është e shenjtë dhe mbrojtja e rregullsisë së procesit zgjedhor është misioni më patriotik që sot mund t’i bëjmë vendit tonë”, ka theksuar Selmanaj, duke shtuar se rinumërimi i votave në gjithë Kosovën është e vetmja mënyrë për të zbardhur të vërtetën dhe për të rikthyer besimin në procesin elektoral.
Ai ka shprehur shpresën që institucionet të mos e përsërisin, siç e ka quajtur ai, “gabimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit”, duke mos treguar vullnet për transparencë dhe drejtësi.