Selmanaj thotë se lojën e Thaçit e bëri ish-shefi i AKI-së në Komisionin për ‘gylenistët’

13:00 | 08 May 2019

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se ish- shefi i AKI’së Driton Gashi, imitoi Hashim Thaçin në Komision për ‘gylenistët’.

Komisioni hetimor parlamentar për deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova ka intervistuar sot shefin aktual të AKI-së Shpend Maxhuni dhe ish shefin e saj, Driton Gashin.

Intervistimi i tyre u bë me dyer të mbyllura ndërsa kjo është hera e dytë që Gashi dhe Maxhuni ftohen për intervistim.

Pas mbledhjes, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha se Driton Gashi nuk ishte i gatshëm që të japë deklaratë pasi që, siç tha ai, “Gashi është sjellë sikurse presidenti Hashim Thaçi”.

Ai tha se deputetët e PDK-së, që janë anëtarë të komisionit, po bëjnë përpjekje për ta dëmtuar punën e Komisionit.

“Nuk do të hyjmë në lojën e presidentit. Nuk do të bëhemi pjesë e skenarëve të presidentit. Nuk po dorëzohemi ta intervistojmë presidentin, ne e kemi ftuar dhe ka ardhur dhe e keni parë. Mos dëshmia e tij është dëshmi, ai nuk dëshiron të flasë, por e dimë se ai qëndron pas këtij rasti. Driton Gashi ka vazhduar lojën e presidentit”, tha Selmanaj.

Thaçi gjatë raportimit javën e kaluar nuk kishte pranaur të dëshmonte, duke kërkuar sqarime se kush ishte eksperti i huaj që kishte angazhuar Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e dëbimit të 6 gylenistëve.

Komento: