Senatori amerikan, Richard Blumenthal, i ka dërguar një letër sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken.
Ai ka theksuar rrezikun që Serbia i ka paraqitur Kosovës ndër vite, duke përmendur sulmin e ndodhur në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Në letrën e tij, Blumenthal ka rikujtuar ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë më 1999, duke theksuar se ambiciet ekspansioniste të Serbisë nuk janë shuar asnjëherë.
Ai ka shprehur shqetësim të veçantë për mundësinë që administrata e re e presidentit të zgjedhur të ShBA-së, Donald Trump, nuk do të angazhohet mjaftueshëm për paqen mes Kosovës dhe Serbisë, duke marrë parasysh qasjen e mëparshme të Trumpit ndaj Rusisë.
“Duke pasur parasysh qasjen e mëparshme të presidentit të zgjedhur Trump ndaj Rusisë, kam frikë se administrata e re do të bëjë shumë pak për të inkurajuar paqen mes Serbisë dhe Kosovës”, ka shkruar senatori nga Connecticut.
Blumenthal i ka bërë thirrje Blinkenit që gjatë periudhës së tranzicionit të pushtetit në ShBA të ketë një fokus të veçantë ndaj Kosovës.
“Gjatë kësaj faze tranzicioni, ju kërkoj të përdorni të gjitha instrumentet që keni në dispozicion për t’u siguruar që Serbia të mbahet larg dhe e paaftë për të shkelur në territorin e Kosovës. Ne gjithashtu kërkojmë që ju t’i vazhdoni përpjekjet e kushtuara për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe pranimin e Kosovës në OKB,”, ka përfunduar Blumenthal.