Përshtypjet për vizitën në Prishtinë i ka rrëfyer senatori amerikan.
Senatori amerikan, Chris Murphy, në një shkrim të publikuar në ‘Medium.com’, ka treguar përshtypjet e tij për vizitën e fundit dy ditore në Prishtinë dhe ka ndarë detaje për takimet që ka pasur me krerët e shtetit të Kosovës. Ka folur për taksën, dialogun dhe për ankesat e liderëve kosovarë
Në fillim të shkrimit të tij, Murphy ka treguar pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara kaq shumë për atë se çfarë ndodh me Republikën e Kosovës, edhe përkundër faktit se Kosova për nga madhësia është sa qyteti i Connecticutit.
Ai thotë se republikanët, por edhe demokratët, janë të angazhuar që t’i shërojnë plagët që lufta e fundit i ka shkaktuar Ballkanit.
Senatori demokrat ka zbuluar se Prishtina është një prej qyteteve më të preferuara të tij, megjithatë ka treguar për një eksperiencë të keqe në sheshin kryesor të kryeqytetit. Ai në rrëfimin e tij tregon se është ndarë jashtëzakonisht i pakënaqur me një shtalb që e ka blerë në një prej kiosqeve në shesh.
Në këtë rrëfim të tij, Murphy tregon përgjatë ecjes në një treg të kryeqytetit, shitësit i kanë thënë që shkaku i taksës 100 për qind, tashmë kosovarët blejnë më shumë produkte vendore. Por thotë se nga Ambasada amerikane në Prishtinë i kanë pohuar se shifrat tregojnë, që ai vendim i institucioneve të Kosovës për taksë ( me gjasë i nxitur nga pasioni i Trump pë luftërat tregtare), e ka dëmtuar ekonominë edhe ashtu të brishtë të Kosovës.
Në fund, Murphy ka ndarë detaje interesante edhe nga takimet që ka pasur me krerët e institucioneve dhe partive politike në ndërtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Ai ka treguar se e kanë takuar ndaras presidentin Hashim Thaçi, ndërkohë tregon se liderët e partive politike në Kosovës janë ankuar që nuk po dinë se këshillat e kujt t’i dëgjojnë, pasi që SHBA’ja dhe Evropa ofrojnë versione të ndryshme rreth asaj se si duhet të procedohet tutje me dialogun. Sipas tij, një gjë e tillë po ndodh për shkak të politikës se jashtme shkatërruese të Donald Trumpit.
Murphy në përshkrimin e tij, thotë se Serbia e ka të qartë që pa e njohur Kosovën nuk mund të anëtarësohet në Bashkim Evropian. Një gjë të tillë thotë se ia ka thënë edhe Vuçiqit gjatë vizitës në Beograd.
Senatori demokrat ka treguar edhe rreth asaj se si liderët kosovarë janë ankuar se mospajtimet e SHBA’së dhe Evropës po ndikojnë edhe në sigurinë e Kosovës.
Pas kësaj vizite në Kosovë, dy senatorët kanë fluturuar drejt Ukrainës, për të përmbyllur rrugëtimin e tyre me vizitën në Beograd.
Në planet e dy sënatorëve ka qenë edhe një vizitë e shkurtër në Moskë, megjithatë nuk kishin mundur të shkonin për shkak të Kremlini zyrtar kishte vendosur të mos iu jepte viza dhe i kishte futur në listën e zezë. Kjo si pasojë e kritikave të shumta ndaj pushtetit në Rusi.
Rrëfimi i senatorit Chris Murphy për eksperiencën në Kosovë:
Kosova është një vend i vogël- nga madhësia përafërsisht sa Connectitcut por me numër të popullatës përgjysmë më pakë. Por pse më bën mua kaq shumë për të? Pse dy senatorë të Shteteve të Bashkuara kanë zgjedhur të vijnë këtu? Atëherë, siç edhe ata thonë, luftërat fillojnë në Ballkan, dhe paqja e brishtë mes serbëve dhe shqiptarëve është vetëm aq, e brishtë. Prandaj në vitet e fundit, siç bashkërisht Demokratët dhe Republikanët e Shtëpisë së Bardhë janë fokusuar në temat e nxehta që pushtojnë ballinat, sikurse Sria e Afganistani, edhe unë me Johnsonin jemi të interesuar për t’u angazhuar për një diplomaci që do të shërojë plagët nga luftërat e Ballkanit përgjatë viteve 1990 dhe 2000.
Por gjithashtu më intereson Ballkani sepse ky rajon ka rëndësi për Connecticut. Shteti ynë është shtëpi e dhjetëra mijëra ( shumica shqiptarë) e emigrantëve nga kjo pjesë e botës, dhe shumë shqiptaro-amerikan të suksesshëm në shtetin tonë i përkrahin shkollat dhe organizatat joqeveritare në vende si Prishtina. Ata që më kanë votuar duan që unë të jem një fuqi e paqes në Ballkan, dhe për këtë i kam dëgjuar.
Më ndihmon fakti që Prishtina është një prej qyteteve të mia të preferuara në botë. Kosova është shteti më i ri në Evropë, dhe rrugët janë të mbushura me plotë energji dhe gjallëri.
Mbërrina më herët se që e prisja dhe shëtita nëpër sheshin kryesor të këmbësorëve. Më intrigoi një kioskë që po shiste diçka që quhej “shtalb”, që dukej si një misër i pjekur. E bleva një për 50 cent, dhe e kafshova një herë përpara se ta kuptoja saktësisht se pse shtalbi nuk është një prej produkteve që Kosova e eksporton (imagjinojeni një misër vështirë për t’u përtypur, i djegur, dhe kryesisht i papërpunuar… aspak i mirë).
Derisa po ecja nëpër treg, më thanë që taksa 100 për qind që Kosova së fundi ia ka vënë produkteve të Serbisë, i ka shtyrë vendorët që të blejnë më shumë produkte vendore. Ambasada jonë na ka treguar që përderisa kjo mund të jetë e vërtetë, të dhënat ekonomike thonë se taksa, me gjasë e frymëzuar nga fascinimi i Trumpit me luftërat tregtare, e ka dëmtuar rëndë ekonominë e brishtë të Kosovës.
Të nesërmen, Johsnon erdhi, tamam në kohë për takimin tonë me presidentin e Kosovës, me presidentin Hashim Thaçi, dhe në një takim të ndarë me një grup liderësh nga Kuvendi. Menjëherë, liderët e Kosovës u ankuan se si mospajtimet mes SHBA’së dhe Evropës po ndikonin në sigurinë e tyre. Problemi kryesor edhe në Kosovës edhe në Serbi janë bisedimet, për Serbinë që përfundimisht që ta njoh pavarësinë e fqinjit të tyre më të ri (Serbia ende vazhdon që ta konsiderojë Kosovën si pjesë të veten, edhe pse liderët e saj e dinë që përfundimisht duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të hyjnë në BE).
Për të arritur marrëveshjen për njohje, nënkupton negociata të komplikuara, dhe ato negociata janë momentalisht të suspenduara, sepse Serbia ndërpreu bisedimet derisa Kosova ta heq taksën. Liderët na treguan se gjatë këtyre ditëve, SHBA’ja dhe BE-ja kanë zbarkuar në Prishtinë duke iu dhënë këshilla të ndryshme për të zhbllokuar situatën rreth bisedimeve, por thonë që nuk dinë kënd ta dëgjojnë më. Kjo nënkupton më shumë mospajtime si pasojë e politikës së jashtme shkatërruese të Trumpit.