Serbët e konsiderojnë Kosovën të humbur

17:23 | 28 March 2019

Një instituti serb përmes një ankete ka vlerësuar se shumica e qytetarëve serbë e konsiderojnë Kosovën të humbur.

Shumica e qytetarëve serbë mendojnë se Serbia e ka humbur Kosovën dhe nuk mund ta kthejë sërish sovranitetin e saj, është thënë në gjeturat e një hulumtimi, që ka realizuar Instituti për Çështje Evropiane në Beograd.
Respodentët besojnë se Qeveria serbe nuk do ta njohë Kosovën dhe nëse do të organizohej ndonjë referendum i mundshëm, do të votonin kundër njohjes së saj.

Sipas të dhënave të publikuara, 47 për qind e të intervistuarve kanë thënë se Kosova është e humbur, 41 për qind mendojnë të kundërtën ndërkaq 12 për qind nuk kanë pasur përgjigje.

Qytetarët serbë që mendojnë se Serbia e ka humbur Kosovën, sipas këtij hulumtimi, janë të moshës ndërmjet 30 dhe 60 vjeçare, me nivel arsimimi të mesëm apo të lartë, si dhe jetojnë kryesisht në të gjitha rajonet e Serbisë, përjashtuar pjesën jugore dhe lindore të vendit.

Në pyetjen se si do të votonin nëse nesër organizohet një referendum për çështjen e pavarësisë së Kosovës, 74.5 për qind kanë thënë se do të votonin kundër.

Në të mirë të pavarësisë do të votonin 6.2 për qind, shkruan rel.

Në hulumtim janë përfshirë 1,207 qytetarë, i cili është realizuar në periudhën ndërmjet 8 dhe 14 marsit të këtij viti.

Qytetarët në përgjithësi janë përgjigjur se nuk kanë marrë pjesë në dialogun e brendshëm për Kosovën dhe ata nuk e dinë se çfarë nënkuptohet me përcaktimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mirëpo, shumica kanë thënë se janë kundër këtij propozimi.

Hulumtimi tregon se 57 për qind e qytetarëve nuk e dinë çfarë do të thotë ideja e përcaktimit të kufijve. Rreth 29 për qind me përcaktim të kufijve e nënkuptojnë ndarjen, përmes së cilës veriu i Kosovës do t’i takonte Serbisë ndërkaq Lugina e Preshevës do të bashkohej me Kosovën.

Sa i përket anëtarësimit të mundshëm të Serbisë në Bashkimin Evropian, 78 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk e mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës në këmbin të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në bllokun evropian.

Komento: