Në barrikadat në veri po detyrohen të dalin edhe pjesëtarët e komunitetit boshnjak.
Kështu raporton mediumi boshnjak, Istraga referuar një hulumtimi që ky medium ka bërë.
Se boshnjakët që janë në marrëdhënie pune po detyrohen të dalin në barrikada në veri, e ka konfirmuar për këtë medium edhe kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin.
Barrikadat në pjesën veriore të vendit tashmë kanë hyrë në ditën e pesëmbëdhjetë. Nëntë barrikada në rrugët që çojnë në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan vazhdojnë të jenë të vendosura për të pesëmbëdhjetën ditë me radhë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, paralajmëroi dy ditë më parë mundësinë e heqjes së barrikadave, nëse KFOR nuk vepron sa më shpejt.
Sveçla tha se po presin që KFOR-i të veprojë sa më shpejt, por shtoi se nëse kjo nuk ndodh, Kosova do t’i heqë vet.
“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që atë angazhimin e tyre ta realizojnë. Por pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në Jarinjë dhe Bërnjak, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Besoj që KFOR-i dhe faktori ndërkombëtar po angazhohen që këtë ta bëjnë sa më shpejt. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.
Në anën tjetër KFOR ka kërkuar dialog për zgjidhjen e krizës në veri.