Serbët po vazhdojnë t’i blejnë femrat shqiptare për martesë.
Në mediat serbe po qarkullon lajmi se shumë qytetarë e të rinj serbë, gjithmonë e më shumë po kërkojnë të martohen me femra shqiptare dhe janë të gatshëm të paguajnë shuma të caktuara parash kundrejt këtyre martesave.
Përgjithësisht janë vajzat nga veriu i vendit tonë, ato që pranojnë të lidhin kurorë me serbët, shkruan MAPO. Një nuse shqiptare paguhet 3 mijë euro.
Të njëjtin fat e ka pasur edhe serbi Predrag Gjokoviq, 27 vjeç, nga fshati Davidoviq në Serbi, i cili u martua me Anila Prendi nga Tirana.
Në këtë zonë serbe nuk ka pasur martesa të tilla, mirëpo tashti, siç thuhet, mbi 900 të rinj janë të gatshëm të martohen me nuse shqiptare.
Predragu ka theksuar se deri tek interesi për martesë me nuse shqiptare ka ardhur pas leximit të shpalljeve në gazeta dhe se ai ndërmjetësuesit apo shkuesit, i ka paguar mbi 2 mijë euro për t’ia gjetur nusen. Tre herë me radhë ka qenë në Shqipëri dhe ka takuar familjen e nuses së tij, me të cilin kanë bërë dasmë.
Ai i ka siguruar një fjalor shqip-serbisht gruas së tij dhe ashtu po e mëson atë në gjuhën e tij amtare. Por edhe Anila për mediet serbe ka theksuar se ndihet e lumtur në këtë familje.
Lume Miliqeviq është shqiptarja e ve, të cilës burri i kishte vdekur disa vite më parë, mirëpo ajo kishte vendosur të mbetet në Serbi. Ajo njihet si shkuese apo ndërmjetësuese për martesat.
Lumja vazhdimisht organizon udhëtime dhe vizita të të rinjve serbë nga zonat rurale serbe drejt Shqipërisë, ku atje ajo grumbullon vajza dhe familje të interesuara për martesa. Më pas ndërmjetësuesja organizon edhe vizitën e prindërve të vajzave në Serbi, për të parë se ku do të jetonin vajzat e tyre.
Vetëm në zonën e Rashkës, Peshterit, Golijas, Javorit dhe Jadovikut janë martuar mbi 150 shqiptare me serbë dhe ato deri tani kanë krijuar familjet e tyre me shumë fëmijë.
“Veçernje Novosti” shkruan se deri në vjeshtë pritet të bëhen mbi 50 martesa të reja me nuse shqiptare. Vetëm një martesë rezulton e pafat, pasi që burri serb ishte pijanec dhe gruaja e tij shqiptare ka ikur me një serb tjetër.
Organizata ndërmjetëson falas për martesa udhëtimet e serbëve në Shqipëri. Kjo organizatë bën të ditur se nuk bëhet fjalë për ndonjë biznes, por vetëm për aktivitet human për mosboshatisjen e fshatrave serbe.
Sipas tyre, deri tani ajo ka bërë 300 martesa midis serbëve dhe shqiptareve.
Në Shkodër, siç transmeton MAPO, ekziston agjencia e cila ndërmjetëson për martesat dhe serbët paguajnë mbi 3-4 mijë euro për një nuse shqiptare.