Serbia ia dhuroi 500.000 dollarë donacion vendit që abstenoi në OKB për Srebrenicën

19:51 | 26 Maj 2024
serbia-ia-dhuroi-500.000-dollare-donacion-vendit-qe-abstenoi-ne-okb-per-srebrenicen

Ministri i Punëve të Jashtme të Hondurasit, Enrique Reina, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të shtunën, falënderoi Serbinë për një donacion prej 500 mijë dollarësh për renovimin e një spitali të shkatërruar, dy ditë pas miratimit të rezolutës së Kombeve të Bashkuara (OKB) që shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

Mediat në Serbi raportuan se donacioni prej gjysmë milioni dollarësh është provë që regjimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, bleu votën e Hondurasit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së – një praktikë që autoritetet serbe e kanë përdorur gjithashtu për të siguruar ‘çnjohje’ të Kosovës, kryesisht në mesin e shteteve të vogla në zhvillim.

Rezoluta për Srebrenicën kaloi me 84 vota në favor, kundër 19 dhe 68 abstenime. Rezoluta për Srebrenicën që u miratua mes kundërshtimit të ashpër të presidentitet serb, dënon mohimin e gjenocidit të kryer nga serbët, përkundër se në rezolutë nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska.

E përveç Serbisë, vendet e rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Kroacia – votuan në favor të rezolutës së hartuar nga Gjermania e Ruanda. Prej vendeve të Bashkimit Evropian (BE), kundër votoi vetëm Hungaria, ndërsa abstenuan Greqia, Sllovakia dhe Qipro – mosnjohëse të Kosovës.

Komento: