Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndonjë koment për fushatën e re serbe kundër Kosovës.
Ambasada amerikane në Beograd duket se nuk e sheh si pengesë për dialogun fushatën e Serbisë kundër Kosovës nëpër botë. Nga kjo ambasadë i ka thënë Gazetës Express se nuk ka asnjë koment për hapjen e 7 zyrave diplomatike të Serbisë, që kanë vetëm një obligim: të bindin shtete të ndryshme të mos e njohin Kosovën.
Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian është intensifikuar presioni ndaj Qeverisë së Kosovës për ta hequr taksën, për shkak se po e pengon dialogun për normalizim raporteve mes dy shteteve.
Serbia po refuzon të ulet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa prej 100 për qind ndaj prodhimeve të saj, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj nuk po heq dorë nga vendimi i nëntorit për sanksionimin e prodhimeve nga Serbia.
Ndërkaq, shteti serb ka vazhduar të fuqizojë departamentin për fushatë kundër Kosovës. Mediat në Serbi kanë raportuar sa Qeveria ka ndarë një pjesë të buxhetit për ta luftuar njohjen e saj në disa vende të botës.
Në Ambasadën amerikane në Beograd, të pyetur nga Gazeta Express nëse hapja e zyrave që lobojnë kundër Kosovës, do të pengojë në dialog, nuk kanë pasur ndonjë koment.
“Ambasada jonë nuk ka asnjë koment”, ka thënë Marina Sokoviq, zëdhënse e ambasadës amerikane në Beograd.
Sipas të përditshmes serbe “Veçernje Novosti”, Serbia do të hapë përfaqësime të reja në Trinidad e Tobago, Suriname, Venezuelë, Vietnam, Papua Guinea e Re, Armeni dhe në Palestinë.
Ndërkaq fushata e Serbisë kundër Kosovës, në të cilën është fokusuar diplomacia serbe e udhëhequr nga Ivica Daciq, ishte arsyeja e vënies së taksës.
Qeveria i vendosi sanksione importit të lartë të produkteve nga Serbia, një ditë pasi Kosova dështoi të anëtarësohej në Interpol.
Kryeministri Haradinaj dhe akterët e tjerë qeveritarë thanë se taksa u vendos si kundërpërgjigje të fushatës së ashpër që Serbia po e bënte kundër Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëetare.