Nis zbatimi i planit serb në veri, 40 veta shtyhen për një bukë.
Nesër në veri të Kosovës qytetarët serbë do ta improvizojnë një katastrofë humanitare, ku mediat serbe do ta përcjellin drejtpërdrejt ngjarjen teksa 40 persona do të shtyhen për një bukë.
Qeveria e Kosovës insiston se po inskenohet një krizë humanitare, pasi që në veri ka artikuj ushqimorë dhe barna të mjaftueshme.
Radosh Petroviq, kryetar i Afaristëve të Veriut të Kosovës, ka paralajmëruar se për pak ditë qytetarët e veriut të Kosovës do të mbesin pa artikujt elementarë të jetesës, madje edhe pa bukë.
Sipas tij, tani nëpër dyqane e markete në komunat veriore mungojnë mielli, vaji, sheqeri e kripa.
Mirëpo gazeta “Zëri” merr vesh se të enjten (nesër) Serbia do të inskenojë një situatë të katastrofës humanitare, ku numër i caktuar i njerëzve do të paraqiten të uritur.
Sipas burimeve, nga pjesa veriore e Mitrovicës janë gjetur madje edhe 40 persona, të cilët do shtyhen për një bukë.