Sikurse në të dy marrëveshjet e shkuara për Energjinë, atë të vitit 2013 dhe 2015, Serbia po vazhdon të mos u përmbahet afateve të planifikuara.
Udhërrëfyesi për energjinë ka ngelur së zbatuari në pikën 2.
Pika e parë që duhet të zbatohej brenda 7 ditësh për licencimit i kompanisë Elektrosever është kryer për dy ditë.
Por puna ngeci në pikën 2, tash e dy muaj, Elektrosever i licencuar si furnizues, nuk i ka siguruar KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, nëpërmjet BE-së.
RTK ka pyetur në KEDS, nëse Elektrosever ka zbatuar pikën 2, zëdhënësi Viktor Buzhala, duke mos dashur ta komentojë këtë pjesë, ka sugjeruar që pyetja ti drejtohet ZRRE-së, autoritet rregullues i të gjitha kompanive të përfshira në zbatim të udhërrëfyesit.
Sipas burimeve të televizionit publik, Elektrosever nuk ka siguruar ende të dhëna për KEDS dhe KOSTT.
Udhërrëfyesi sipas marrëveshjes duhej të zbatohej brenda 100 ditësh.
Brenda 10 ditësh nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do të nënshkruajë marrëveshje me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës.
Brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSTT-in, Elektroseveri do të marrë Kodin e Identifikimit të energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parashikuara nga furnizimi me licencë.
Brenda 30 ditëve nga nxjerrja e Licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT duhej të kishin qasje në Nënstacionin Valaqit.
Brenda 45 ditëve nga dhënia e licencës për furnizim, KOSTT dhe KEDS, pas konsultimit me Elektroseverin, do të dorëzojë në ZRRE planin e investimeve dhe kostot e kërkuara të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.
Ndërsa, brenda 21 ditëve pas dorëzimit të planit të investimit, shpenzimeve të kërkuara të mirëmbajtjes e humbjeve të rrjetit, ZRRE do t?i aprovojë në parim këto plane, kosto dhe humbje.