Serbia po blen avionë luftarakë nga Franca, ekspertët thonë se janë sinjale që po distancohet nga Rusia

19:20 | 11 April 2022

Avionë ushtarakë po blenë Serbia.

Agjencia britanike e lajmeve Reuters, sot ka raportuar që Serbia do të blejë avionë luftarakë francezë “Rafale”, që sipas ekspertëve, sinjalizon distancimin e saj nga furnizuesi tradicional me armë, Rusia.

Për Reuters, një deklaratë e ka dhënë sot edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka konfirmuar blerjen e këtyre avionëve nga shteti francez, transmeton Gazeta Express.

“Serbia planifikon që të blejë avionë luftarakë Rafale nga Franca”, ka thënë Vuçiq.

E sipas ekspertëve të Reuters, kjo lëvizje e Serbisë shihet si “sinjali i fundit që Beogradi është duke e distancuar veten nga furnizuesi tradicional me armë, aleati rus”.

Vuçiq ka thënë se bëhet fjalë për blerjen e 12 avionëve të rinj nga Franca. Sipas tij, edhe 12 avionë të tjerë do të blihen nga një shtet tjetër.

“Ne jemi duke negociuar për rreth një vit për blerjen e 12 avionëve të rinj, dhe po ashtu planifikojmë të blejmë edhe 12 avionë të tjerë nga një shtet tjetër”, ka thënë presidenti serb.

Pak ditë më parë, Presidenti Vuçiq njoftoi gjithashtu se ka kërkuar nga presidenti turk blerjen e dronëve efektivë “Bayraktar”. Sipas tij, pas një bisede me Presidentin Erdogan të Turqisë, ai ka marrë dritën e gjelbër që Serbia do ta ketë në listën e saj edhe këtë lloj armatimi.

Serbia është në një mision të gjerë të furnizimit me armë. Jo më larg se dje, Associated Press publikoi hulumtimin ku dëshmohej furnizimi i Serbisë me raketa kineze, në mënyrë të fshehur përmes rrugëve ajrore të Turqisë.

Komento: