Serbia ‘pushton’ tregun e Kosovës

09:57 | 10 May 2020

Nga 1 prilli Serbia ka importuar në Kosovë produkte në vlerë rreth 15 milionë euro.

15 milionë euro është importi i Serbisë në Kosovë, që nga 1 prilli kur është vendosur reciprociteti me këtë shtet.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, tha se këto shifra mund të ndryshojnë në ditët e ardhshme.

Stavileci në një intervistë për Ekonomia Online, shtoi se nga hyrja në fuqi e reciprocitetit kanë parë një import të ulët porse ky numër ka filluar të rritet.

“Po që nga heqja e masës prej 100 për qind nga data 1 prill e këtij viti, e deri më tani, ne kemi import rreth 15 milionë euro të produkteve me vlerë nga Serbia, që do të thotë se në fillim të muajit prill ne kemi parë një import më të ulët, deri sa me kalimin e ditëve ky import ka nisur duke u rritur”, tha ai.

Nga Serbia pos industrisë së ushqimit, hyjnë edhe medikamentet. Stavileci thotë se disa prej tyre kanë qenë donacione, ndërsa pjesa tjetër import komercial.

“Medikamentet janë duke hyrë nga vendet tjera por edhe nga Serbia kemi pasur import të medikamenteve, normalisht një pjesë kanë qenë edhe donacione dhe një pjesë kanë qenë importe komerciale, por sidoqoftë, trendi kryesorë nga Serbia është industria ushqimore”, u shpreh ai.

Stavileci ka thënë se importet nga Serbia kanë dokumentacion të rregullt dhe se i referohen Kosovës me si shtet dhe janë në përputhje me Kushtetutën.

“Në fillim të muajit prill, pas heqjes së tarifës 100 për qind, ne kemi parë disa importe nga Serbia të cilët kanë pasur probleme me dokumentacion, derisa me kalimin e kohës, të gjitha importet që zhvillohen në Kosovë nga Serbia janë në rregull me dokumentacionin të cilën ata e dorëzojnë te dogana e Kosovës. Nuk mund të themi se kemi parë ndonjë rast ku ka importe jo të rregullta apo ku ka terme që nuk i referohen Kosovës ashtu siç duhet”, u shpreh ai.

Komento: