Serbia vazhdon ankesat për taksën 100% ndaj produkteve të tyre

23:48 | 22 Dhjetor 2018

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendoset taksë prej 100% për produktet serbe.

Zyrtarë nga Beogradi kanë vazhduar ankesat e tyre për taksën 100 për qind të vënë nga Qeveria e Kosovës për produktet me prejardhje nga Serbia e Bosnja.

I fundit që ka reaguar në lidhje me këtë vendim të Qeverisë Haradinaj, është ministri serb i shëndetësisë Zlatibor Lonçar, transmeton lajmi.net.

Siç thotë ai, situata për furnizimin me medikamente dhe pajisje tjerë shëndetësore për Qendrat e Mjekësisë në komunat e banuara me serbë, është mjaftë serioze.

“Situata e dërgimit të medikamenteve dhe mjeteve të tjera që nevojiten për funksionimin e shëndetësisë për serbët është mjaft serioze. Situata po monitorohet çdo ditë”, ka thënë ai.

Ministri serb e cilëson si tejet absurd insistimin e Prishtinës që këto masa të mbeten në fuqi, dhe thotë se kjo situatë mund të dërgojë në një katastrofë në të cilën do të rrezikohen jetët e serbëve.

Mirëpo, megjitha ankesat e Beogradit, zyrtarë nga Qeveria e Kosovës tash e disa kohë janë treguar të vendosur se masa në fjalë ndaj produkteve serbe do të mbesë në fuqi.

Komento: