Sërish apel për vrasjen e Putinit nga senatori amerikan: Do t’i bënte nder botës

16:32 | 04 Mars 2022

Apeli tjetër për vrasjen e Putinit vjen nga senatori amerikan.

Një apel për vrasje. Panorama politike është radikalizuar papritur në skenën ndërkombëtare pas pushtimit rus të Ukrainës, aq sa politikanët mund të thonë hapur dhe publikisht teori që më parë do të cilësoheshin si skandaloze.

“Ka një Brut në Rusi? Ose një kolonel Stauffenberg i suksesshëm në ushtrinë ruse?”, deklaroi senatori amerikan Lindsey Graham duke iu referuar personazheve historike qe kane tentuar të vrasin liderët e tyre. Mendimi i Graham është i drejtpërdrejtë për atë që cilëson si zgjidhjen e shpejtë dhe efektive të krizës ukrainase.

“Do t’i bënte botës një nder të madh”, shtoi Graham, duke theksuar se kjo përgjegjësi duhet të binte vetëm mbi popullin rus. “E lehtë për t’u thënë, e vështirë për t’u bërë, vetëm nëse dëshiron të jetosh gjithë jetën në errësirë, i izoluar nga bota dhe në varfëri”, deklaroi ai.

Mendimi i senatorit republikan i Karolinës së Jugut, i shpërndarë në Twitter, solli reagimin e ashpër të ambasadorit rus në SHBA, Anatoly Antonov, që cilësoi komentet e amerikanit si të “papranueshme dhe fyese”.

“Niveli i rusofobisë dhe urrejtjes ndaj Rusisë në SHBA ka marrë dimensione të pazakonta. E pabesueshme që senatori i një vendi që promovon vlerat e saj morale si një yll polar për njerëzimin të guxojë të flasë për terrorizmin si një çelës për të arritur objektivat e Uashingtonit në skenarin ndërkombëtar”, ishin fjalët e diplomatit rus./A2CNN

Komento: