Sërish mund të ketë rinumërim të votave në disa vendvotime

19:05 | 22 October 2019

Sërish mund të ketë riumërim të votave në disa vendvotime.

Deri në orën 16:00 të ditës së martë, janë rinumëruar 430 vendvotime apo 81.29% e 530 vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ-ja që të rinumërohen. Mirëpo këtu nuk përjashtohet mundësia që në rinumërim të shkojnë edhe vendvotime tjera, madje në një qendër votimi në Runik të Skenderajt mundojnë edhe fletvotimet.

Koordinatori i QNR-së Burim Ahmetaj, tha se deri më tani procesi i rinumërimit është duke vazhduar pa probleme, derisa lidhur me mungesën e fletëvotimeve në Runik ai thotë se nuk posedojnë informacione të tilla.

“Procesi është duke rrjedhur normalisht, gjatë këtyre dy ditëve do të mundohemi që ky proces të kompletohet, në mënyrë që të vazhdojmë me numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta…Nuk kemi ndonjë informacion të tillë, por sido qoftë jemi ne procesin e rinumërimit do t’i shqyrtojmë të gjitha rastet dhe çdo rast, çdo diferencë nëse shohim ndonjë diferencë të tillë, atëherë do të hapet rasti i hetimit dhe do të nxirret raporti në bazë të të gjeturave. Mirëpo, aktualisht deri më tani nuk kemi ndonjë rast të tillë, por sidoqoftë, të gjitha këto raste do të shqyrtohen nëse do të ketë dhe do të përgatisim raport për to”, tha ai.

Ahmetaj thotë se sipas të gjitha gjasave procesi i rinumërimit të 529 vendvotimeve do të përfundojë deri të enjten.

Koordinatori Ahmetaj u shpreh nuk ka hedhur poshtë mundësinë që QNR të propozojë edhe vendvotime të tjera për t’u rinumëruar.

“Pjesa më e madhe e vendvotimeve për shkak të mospërputhjes në bazën e të dhënave tashmë veçse janë sjell këtu për t’u rinumëruar. Kjo është pjesa më e përgjithshme, pjesa më e madhe që ka pasur probleme. Aktualisht nuk kemi ndonjë vendvotim që mund të ketë probleme të natyrës së njëjtë, mirëpo para se të finalizohen të gjitha rezultatet do t’i bëjmë të gjitha kontrollet e më shumë se 250 mijë vendvotimeve, qoftë votat për subjektet, qoftë për kandidatët, në mënyrë që t’i kemi të gjitha rezultatet dhe të dhënat e sakta. Nuk përjashtohet mundësia që mund të dalë ndonjë vendvotim nga këto kontrolle, mirëpo në këtë sasi çfarë e kemi pasur deri më tani nuk do të ketë. Pasi t’i bëjmë kontrollet do të shohim se gjithçka përputhet atëherë ndoshta edhe nuk do të ketë, mirëpo ndoshta edhe mund të ketë”, tha ai.

Komento: