Përplasje për Trustin: “Po e zhagit Armend Muja”, “Projektligji s’ka ardhë në Komision”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu, i cili më 9 mars ka dorëzuar projektligjin për ndryshim e ligjit për Trustin po vazhdon të insistoj se kjo çështje duhet të marrë drejtim sa më parë.
Zyrtarisht plotësim ndryshimi i ligjit për Trustin që do t`i mundësonte qytetarëve të Kosovës tërheqjen e parave prej një % të caktuar është në duart e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe po pret procedurat tjera që duhet ndjekur.
Deputeti i PDK-së së Bekim Haxhiu, në një prononcim për Gazeta Blic ka akuzuar kryetarin e komisionit për Buxhet dhe Financa Armend Mujen, se qëllimshëm po e zvarrit në komision që drejton, shqyrtimin e projektligjit për Trustin.
“Projektligji për Trustin tash duhet me u shqyrtu në Komision Parlamentar për Buxhet dhe Financa dhe tash Armend Muja po e zhagit këtë”, ka thënë Haxhiu
Sipas tij, pas shqyrtimit në komisionin për Buxhet dhe Financa, projektligji duhet të kaloj në Kryesinë e Kuvendit, e ku kjo e fundit vendos se kur do ta fusë si pikë të rendit të ditës.
“Në seancë mundet me hy për shqyrtim nga dita kur i bënë 14 ditë dhe jo me gjatë se 28 ditë se kur projektligji iu ka shpërndarë deputetëve” ka thënë Bekim Haxhiu.
Por i kontaktuar nga Gazeta Blic, Armend Muja që është kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa ka mohuar se ky projektligj ka shkuar në komision që Muja drejton.
“S`ka ardh ende. Kryesia nuk e ka dërguar te ne, në javët në vazhdim kurdo që Kryesia e dërgon, si komision do ta shqyrtojmë brenda një ose dy jave”, ka thënë Muja.
Për të marrë më shumë detaje në rast se projektligji për Trustin gjendet në Kryesinë e Kuvendit apo në Komisionin për Buxhet dhe Financa, Blic ka kontaktuar me Sekretarin e Kuvendit Ismet Krasniqi, por i njëjtë nuk ka dhënë asnjë përgjigje, me arsyetim se është i zënë.
Në parim të gjitha partitë politike që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës janë pajtuar që qytetarëve t`i mundësohet tërheqja e një pjesë të mjeteve të tyre nga Trusti, përjashto këtu partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje.
Sikurse deputetet e kësaj partie, ashtu edhe disa ministra të Qeverisë Kurti janë shprehur kundër idesë që të lejohet një përqindje e caktuar e parave të tërhiqen nga Trusti.