Nuk ka pasur sërish kuorum që të vazhdojë seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila paraprakisht është shtyrë për në orën 12:30.
Pas rreth 30 minutash, kryeparlamentari Galauk Konjufca njoftoi se Kuvendi sërish nuk e ka kuorumin e mjaftueshëm për të vazhduar me seancën.
Konjufca paraprakisht ka kritikuar deputetët duke thënë se kjo legjislaturë nuk e meriton të vazhdojë për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të deputetëve.
“Me këtë sjellje të papërgjegjshme të deputetëve, kjo legjislaturë mendoj se nuk e meriton të vazhdojë”, ka thënë Konjufca.
Kuvendi planifikoi të mblidhej sot për gjashtë seanca të papërfunduara.
Edhe javën e kaluar, një seancë nuk u mbajt për shkak të mungesës së kuorumit.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas mungesës në dy seanca radhazi të kuorumit në Kuvendin e Kosovës.
Çitaku ka akuzuar VV-në se ani pse ka 50% të votave po dështon që të sigurojë shumicën e nevojshme, dhe se një gjë e tillë është papërgjegjësi nga ana e VV-së.
“Një parti që ka fituar mbi 50% të votave dështon në mënyrë të vazhdueshme të sigurojë shumicën e nevojshme në Kuvend. Papërgjegjësi e skajshme”, ka shkruar nënkryetarja e PDK-së.
Mirëpo, për deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, Kuvendi i Kosovës ka pasur kuorum për të filluar seancën e paraparë në orën 10:00, pasi në sallë, sipas saj ishin prezentë rreth 90 deputetë.
“Rregullorja e Kuvendit kërkon që seanca të filloj kur ka kuorum – pra kur janë 61 deputetë prezent. Ne ishim rreth 90”.