Serwer: Edhe 10 minuta shtyrje janë shumë për targat, por Kurti të jetë i përgatitur për pasojat

13:24 | 27 October 2022

10 muaj zgjatje të afatit për riregjistrimin e targave i kërkuan Qeverisë së Kosovës zyrtarët amerikanë. Por, një bashkëkombësi të tyre edhe 10 minuta po i duken të gjata që vendimi për heqjen e targave ilegale në Kosovë të zbatohet. Profesori i John Hopkins, Daniel Serwer, ka arsyetuar kryeministrin Albin Kurti për qëndrimin e tij karshi këtij vendimi. Megjithatë, ai në një bisedë me Gazetën Express tha se kjo bëhet vetëm kur s’krijohen probleme më të mëdha.

“Kurti po ushtron sovranitetin e Kosovës. Shpresoj se ai është i përgatitur të përballet me pasojat. Unë sigurisht e kuptoj padurimin e tij – madje kam sugjeruar që edhe 10 minuta janë shumë të gjata. Por të kesh të drejtë funksionon vetëm nëse vendimi që merr nuk krijon probleme më të mëdha”, ka thënë Serwer.

Vizitat e shpeshta të zyrtarëve nga vendet aleate të Kosovës, Serwer po i sheh si përpjekje për avancimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, derisa thotë se ende nuk dihet saktë rezultati i tyre.

“Miqtë e Kosovës po përpiqen të inkurajojnë progresin në dialog. Kjo është puna e tyre dhe u urojë suksese. Megjithatë, nuk dihet qartë se ata janë duke prodhuar ato lloje të reagimeve në Beograd që do t’i mundësonin Prishtinës të lëvizë. Të dyja kryeqytetet më duken jo të gatshme për kompromis”.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit thotë se s’mund të paragjykojë vitin se kur mund të ndodhë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë edhe pas deklaratës së emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili në njëfarë mënyre caktoi 2024-ën si afat kur dy shtetet fqinje mund të arrijnë marrëveshje.

“Kurdo që Prishtina dhe Beogradi vendosin se është në interesin e tyre. Ata nuk janë ende aty [afër marrëveshjes]. S’e kam idenë nëse mund të arrihet deri në vitin 2024”.

Qëndrim stoik i Kosovës është që marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet ta ketë edhe njohjen reciproke. Por, Serëer thotë se ka shumë marrëveshje që s’e kanë njohjen në qendër e që janë në dobi të Kosovës.

“Mund të paramendoj shumë marrëveshje pa njohje që do të ishin të dobishme për Kosovën. Edhe me njohje do të ketë nevojë për shumë marrëveshje të tjera. Nuk shoh asnjë arsye për të pritur njohjen për të bërë gjëra që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dyja vendet. Kjo ishte filozofia e fazës “teknike” të dialogut. Ndërsa shumë nga ato marrëveshje nuk janë zbatuar plotësisht, disa rezultuan në përfitime reale”.

Profesori amerikan ka thënë edhe një ide se si mund të zbatoheshin marrëveshjet që arrijnë Kosova dhe Serbia – meqë shumë të tilla nuk gjejnë praktikë në asnjërin shtet.

“Pse SHBA-ja dhe BE-ja nuk themelojnë një komision për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut (si Zyra Civile Ndërkombëtare që mbikëqyri zbatimin e planit të Ahtisaarit pas pavarësisë). Me ndihmën e OJQ-ve të njohura në Kosovë dhe Serbi, si dhe nga dy qeveritë, një komision i tillë mund të bëjë progres të përnjëmend në zbatimin e marrëveshjeve dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

Deklarimet e forta të zyrtarëve amerikanë dhe të vendeve të BE-së që Kosova dhe Serbia duhet që më në fund t’i japin fund sagës së bisedimeve me një marrëveshje gjithëpërfshirëse futi në diskursin kosovar edhe mundësinë e rrëzimit të Qeverisë Kurti, e cila qysh në zgjedhje të saj u lavdërua për stabilitet.

Serwer thotë se në një sistem parlamentar është gjithmonë e mundur që qeveria të bie, por thotë se duhet marrë parasysh edhe rënia e fundit e Qeverisë Kurti, e cila erdhi sërish në pushtet me më shumë fuqi.

“Në këtë rast, kjo do të kërkonte një shkëputje të koalicionit qeverisës, qoftë brenda Vetëvendosjes, qoftë me partnerët e tjerë të koalicionit. Ju e dini më mirë se unë nëse ai mund të prishet. Ata që do të donin të projektonin rënien e qeverisë duhet të kujtojnë megjithatë se herën e fundit kur e bënë këtë, Albini u kthye edhe më i fuqishëm në parlament”.

Komento: