Serwer: Rreziku në veri, Shqipëria mund të marrë më shumë përgjegjësi ushtarake në Kosovë

23:55 | 02 Qershor 2026
serwer:-rreziku-ne-veri,-shqiperia-mund-te-marre-me-shume-pergjegjesi-ushtarake-ne-kosove

Profesori amerikan dhe eksperti i Ballkanit, Daniel Serwer, ka paralajmëruar se prania ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Kosovë mund të reduktohet në të ardhmen, duke theksuar se vendi duhet të përgatitet për një skenar të tillë.

Në një intervistë në A2CNN, Serwer tha se ndonëse do të dëshironte rritje të pranisë amerikane në Kosovë, nuk do të habitej nëse ndodh një tërheqje e pjesshme e trupave.

“Do doja të shikoja më shumë trupa amerikane në Kosovë dhe të qëndronin, por s’do habitesha edhe nëse do të kishte ndonjë tërheqje. Duhet të mësoheni të jetoni me këtë fakt”, u shpreh ai.

Sipas Serwer, në një skenar të tillë, Shqipëria si vend anëtar i NATO-s mund të luajë një rol më të madh në garantimin e sigurisë në Kosovë.

“Ndoshta mund ta dini që Shqipëria duke qenë anëtare e NATO-s, mund të vërë më shumë trupa në Kosovë dhe të ruajë fqinjin e vet”, tha ai, duke shtuar se për Kosovën prioritet mbetet anëtarësimi në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Serwer theksoi se anëtarësimi në NATO do të zgjidhte shumë nga sfidat e sigurisë për Kosovën, por ngriti dilema për gatishmërinë aktuale politike të vendit për një proces të tillë.

“A po ndodh sot? Vështirë ta themi, që NATO të pranojë një anëtar të ri pa një qeveri të qëndrueshme”, u shpreh ai.

Në të njëjtën intervistë, Serwer ngriti shqetësime edhe për politikën e Serbisë ndaj Kosovës, duke deklaruar se presidenti Aleksandar Vuçiq po pret një moment të favorshëm gjeopolitik për të vepruar.

“Është e qartë se Serbia nën Vuçiq po pret për një mundësi gjeopolitike në të cilën mund të marrin të paktën veriun e Kosovës, sepse s’ka qëllim që të marrë pjesën tjetër të Kosovës, pasi do përballej me një luftë guerrile që do të ishte shkatërruese për Serbinë”, tha Serwer.

Komento: