Sesioni vjeshtor me përplasje në Kuvend, tensione mes Kurtit me Konjufcën

18:44 | 15 Shtator 2022

Sot ka nisur punimet Kuvendi i Kosovës.

Sot është mbajtur seanca e parë e Kuvendit të Kosovës për sesionin vjeshtor. Si zakonisht, edhe kjo seancë u përcjell me përplasje mes Qeverisë dhe opozitës, por jo vetëm. Një bisedë e tensionuar u zhvillua edhe mes Kryeministrit Albin Kurti me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën. Gazeta Online Reporteri.net ju sjell një përmbledhje të zhvillimeve të sotme në Kuvend.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën sot për të diskutuar për grevën në arsim dhe krizën financiare që ka përfshirë vendin.

Përveç kritikave që dha opozita, kishte edhe përplasje e biseda të tensionuara. Por, një prej tyre mori gjithë vëmendjen.

Kamerat kapën momentin kur Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimim zhvilluan një bisedë të tensionuar me Kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

“Fjalosja” mes tyre erdhi pas hedhjes në votim të mocionit procedural të propozuar nga opozita, pro të cilit votoi edhe Konjufca, për të zhvendosur debatin për grevën më herët, meqë salla e Kuvendit duhej të lirohej për një aktivitet të NDI.

Përplasje pati edhe mes Ministrit të Financave, Hekuran Muratit dhe kreut të PDK’së, Memli Krasniqit.

Ata u përplasën gjatë diskutimit për krizën financiare, kur debati i tyre kaloi te kriptovalutat.

Murati ka thënë se nuk mund të mbështesë humbjet në kriptovaluta dhe që sipas tij nëse dikujt i është keqësuar gjendja financiare për shkak të humbjes së tyre ‘qeveria nuk mund t’i kompensojë”.

“Ajo që nuk mund të them dhe nuk mund të zotohem është që të mbështesim humbjet në kriptovaluta. Nëse dikujt iu është keqësuar gjendja financiare për shkak se ka rënie të kriptovalutave, nuk mund ta kompensojmë atë. Kërkojë ndjesë” – ka deklaruar Murati.

Në replikën e tij ndaj ministrit Murati, kreu i PDK-së u shpreh se ai kriptovalutat i ka deklaruar, por po pretendon se është ministri Murati ai që nuk po i deklaron.

“Për kriptovaluta, unë jam ekspert, jam i pari kam fol për vetëdijesim. Unë jam ai që i kam deklaruar gjithë jetën. Pse s’po i deklaron ti tuat. Krejt shokët e tu tregojnë që ti ke kriptovaluta që sa. As në deklarim të Agjencionit Kundër Korrupsion si ke tregu. Kallxo sa i ki?”- ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku kritikoi kryeministrin Albin Kurti për grevën e përgjithshme në të cilët ndodhet vendi.

I pari i LDK-së tha se kjo që po ndodh është emergjencë kombëtare dhe se kjo emergjencë kërkon dialog dhe nga dialogu kompromis.

“Jemi në javën e tretë dhe 25 mijë mësimdhenës janë në grevë. Kjo është emergjencë, të kesh familje kosovare që nuk organizojnë dot përditshmerinë e tyre se s’kanë ku t’i lënë fëmijët, është emergjencë kombëtare. Kjo kërkon dialog dhe nga dialogu kompromis, janë njerzit tanë, janë familjet tona. Kurti ka zgjedhur një rruge tjetër, ai ka zgjedhur polarizimin, duke komunikuar në distancë me ta, e më pas duke lëshuar fletë rrufe nga ideologët partik që përfaqësuesit sindikalë që dikur bashkëpunonte me ta në opozite, i portretizon si sherbëtorë të Serbisë, mesimdhenesit si analfabetë”, tha Abdixhiku.

Ai gjithashtu tha se përgjegjës për këtë krizë është vetëm kryeministri Albin Kurti.

“Për LDK përgjegjës i vetëm për këtë krizë ka adresë në Qeveri, kryeministri Kurti. I takon Kryeministrit të gjejë dialog, të flas e dëgjojë edhe me ata që nuk pajtohet, e sidomos ata qe nuk pajtohet. I takon atij të bëjë zgjidhje me rritje të pagave”.

“Kjo qeveri ka pasur një vit kohë të pergatis veten për dimrin e vështirë përpara, dhe kosova ska kontrata furnizimi, as masa eficente kursimi, as masa per ngrohje alternative”, tha Abdixhiku.

Komento: