Sezoni veror, kufizohet qarkullimi për mjetet e rënda në zonat turistike në Shqipëri

10:50 | 17 Qershor 2026
sezoni-veror,-kufizohet-qarkullimi-per-mjetet-e-renda-ne-zonat-turistike-ne-shqiperi

Policia në Shqipëri ka marrë një sërë masash për të kufizuar qarkullimin e mjeteve të rënda në disa zona të vendit.

Sipas njoftimit, masat që do të zbatohen nga 19 qershori deri më 15 shtator, synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit në akset me fluks të lartë, veçanërisht në zonat turistike dhe bregdetare.

Kufizimet prekin mjetet e transportit të mallrave mbi 7.5 tonë dhe do të aplikohen në orare të përcaktuara gjatë fundjavave dhe festave zyrtare.

“Masat kufizuese shtrihen në autostrada, në rrugët interurbane dhe në akse të tjera që lidhin zonat bregdetare dhe turistike, të cilat gjatë sezonit veror kanë flukse të larta qarkullimi.”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se nga këto kufizime përjashtohen mjetet e emergjencës, mjetet e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe mjetet e transportit të mallrave të domosdoshme.

Në raste të veçanta, sipas njoftimit, për furnizime kritike apo nevoja emergjente, mund të jepen autorizime të posaçme nga autoritetet kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Komento: