Me një varg problemesh e sfidash mund të përballet sistemi i arsimit në rast se ministria vendos përfundimisht që tekstet shkollore të blihen nga prindërit, e të rimbursohen nga Qeveria. Kjo, sipas njohësve të arsimit dhe ish-zyrtarëve të ministrisë, krijon hapësirë që nxënësit të mbesin pa libra, si shkak i mundësisë që paratë e librave prindërit t’i shpenzojnë për qëllime tjera.
Sfidues e shumë problematik po vlerësohet zbatimi në praktikë i propozimit të Ministrisë së Arsimit për blerjen e teksteve shkollore nga prindërit e nxënësve.
Njohës të arsimit thonë se para se të vendoset përfundimisht, Ministria duhet të analizojë të gjitha rrethanat dhe sfidat që do të mund të shfaqen.
Ish-zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, e ka cilësuar si ankth për prindërit njoftimin nga Ministria për mos shpërndarje të teksteve shkollove.
Ai ka thënë në RTV Dukagjini, se Ministria duhet të reflektojë sa më parë.
“Ministrja thotë se do t’i rimbursojmë prindërit, i bie që Ministria i ka mjetet, në anën tjetër thotë se janë çmime të shtrenjta, por nëse prindërit shkojnë dhe i blejnë vetë librat kjo nuk garanton se do t’i blejnë më lirë. Nata e djeshme ka qenë natë ankthi për mbi 120 mijë familje që kanë fëmijët e tyre nga klasa e 1 deri në klasën e 5″, Nehat Mustafa, ish-zëvëndësministër i Arsimit.
Aspak të thjeshtë në aspektin praktik të zbatimit e sheh një mundësi të tillë edhe ish-zëvendësministri Dukagjin Pupovci, i cili së fundmi ka dhënë dorëheqje nga kjo ministri.
Ai thotë se do të jetë shumë e vështirë që të procedohen mijëra aplikime për rimbursim të këtyre mjeteve, teksa ka shtuar se vonesat për këtë çështje do duhej të minimizoheshin.
“Zbatimi i një opsioni të tillë nuk është aspak i thjeshtë. Në aspektin ligjor, Udhëzimi Administrativ i MASHT 13/2016 përcakton qartë procedurën e shpërndarjes së teksteve shkollore përmes DKA-ve dhe shkollave. Në aspektin praktik është punë shumë e vështirë të procesohen mbi 100 mijë aplikime për rimbursim nga prindërit dhe të ekzekutohen pagesat, me ç’rast duhet të verifikohen të dhënat për fëmijët: në cilën shkollë dhe klasë vijojnë mësimin, si dhe cilat tekste i ka përzgjedhur shkolla. Probleme tjera mund të lindin me njerëz që nuk i shpenzojnë mjetet për tekste, por për diçka tjetër, ose të tillë që i kanë llogaritë e bllokuara për shkak të borxheve. Besoj se MASHTI do t’i merr parasysh të gjitha këto sfida para se të del me një vendim përfundimtar.”, ka deklaruar Dukagjin Pupovci, ish-zëvëndësministër i Arsimit.