
Kryetari i Aleancës Kosovare për Biznes (AKB), Agim Shahini ka paralajmëruar se nëse sërish shkohet në zgjedhje të reja atëherë vendi do të futet në një krizë të thellë dhe ekonomia do të pësojë një goditje.
“Kosova po hyn në një nga momentet më të rrezikshme politike që nga paslufta. Bllokimi institucional që po ndodh sot rrezikon ta fusë vendin në një krizë të thellë dhe në zgjedhje të reja, gjë që do të ishte goditje e rëndë për shtetin dhe ekonominë. Aleanca Kosovare e Bizneseve, paralajmëroj se bizneset dhe ekonomia nuk mund të përballojnë një tjetër krizë politike dhe një tjetër periudhë të gjatë pa institucione funksionale”, ka shkruar ai.
Shahini ka theksuar se Kosova nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve politike.
“Kosova nuk mund të mbetet peng i kalkulimeve politike. Vendi ka nevojë urgjente për përgjegjësi dhe vendime të mëdha shtetërore. Çdo vonesë po i kushton vendit me humbje investimesh, pasiguri ekonomike dhe bllokim zhvillimi. Mesazhi po duket i qartë, ose zgjidhje e menjëhershme politike, ose vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja me pasoja serioze për Kosovën. Kosova meriton stabilitet dhe lidership, jo krizë të re politike”, ka shkruar ai.