Shaip Mikullovci, biznesmeni i afërt me pushtetin, blen kompaninë Shell Kosova për rreth 60 milionë euro

20:23 | 17 October 2024

Pak kohë më parë, Mikullovci, i cili është pronar edhe i disa bizneseve tjera, e ka blerë edhe IP Petrolin për rreth 20 milion euro.

Pushteti i ri, bizneset e reja. Pa kaluar as katër vite prej kur kishte ndodhur ndryshimi i madh në politikë, duket që tendenca e njëjtë po e përcjellë edhe ekonominë dhe bizneset.

Lëvizja Vetëvendosje, me të marrë pushtetin, kishte filluar t’i sulmonte bizneset që ajo i ka konsideruar si të afërta me qeveritë e kaluara, por nën hijen e kësaj partie dhe këtij pushteti, duket që kanë lëshuar shtat biznese të reja.

Më së shumti në shprehje gjatë kësaj kohe kanë ardhur kompania Ex Fis, me pronar Isa Muharremin, e cila ka monopol në biznesin e karburanteve në Aeroport të Prishtinës, dhe kompania Interex, me pronar Shaip Mikullovcin, që pas blerjes së kompanisë IP Petrol, ditëve të fundit e ka futur në dorë edhe kompaninë Shell Kosova, me një çmim marramendës prej mbi 60 milion euro.

Shaip Mikullovci ka arritur që ta katapultojë në AKP drejtorin e IP Petrolit, Burim Lecin, i cili mjaft çuditshëm dhe dyshimtë ia ka vazhduar kontratën IP Petrolit për stacionet e karburanteve që janë pronë e shtetit.

Gjithashtu, kunder Burim Leci, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka ngritur kallëzim penal, sepse ai gjatë kohës kur ka qenë drejtor i IP Petrol u kishte shitur karburante pompave ilegale serbe në veri të vendit.

Mirëpo një gjë e tillë nuk i kishte bërë përshtypje qeverisë, ndonëse çdo qytetar tjetër të Republikës së Kosovës, që nuk është i afërt me ta, ata e shikojnë me llupë. Burim Leci është i afërt me Luan Dalipin, ky i fundit shefi i stafit i kryeministrit Kurti.

Në të kaluarën LVV kërkonte me ngulm prej autoritetit të konkurrencës për të hetuar cdo marrëveshje dhe çdo kontratë që kompanitë e mëdha e lidhnin me ndonjë biznes në të njëjtën industri, për të parandaluar marrëveshjet e fshehta, që kanë impakt të madh në përcaktimin e çmimeve.

Një gjë e tillë nuk po u bën përshtypje kur ata tash janë në pushtet. Fitimet e Ex Fis’it në aeroportin e Prishtinës janë multimilionëshe, në kurriz të çmimit të shtrenjtë të biletave të aeroplanit, kurse tash Interex i ka futur në dorë dy prej bizneseve më të fuqishme në industrinë e naftës, kurse njeriu i tyre në AKP duket që po e bllokon shitjen e aseteve shtetërore në fushën e karburanteve. Shumicën e atyre aseteve tash i kontrollon IP Petrol, ose ish shefi i Lecit, si kontrata me qira.

Komento: