Taksa prej 100% vazhdon të mbetët në fuqi.
Endrit Shala nga Nisma, Ministër në largim i Tregtisë dhe Industrisë, pohoi se vendosja e taksës 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina ka pasur efekte pozitive.
Në Zonën Zgjedhore ai ka përmendur disa të dhëna, që sipas tij, tregojnë më së miri efektet e saj.
“Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë shohim se rritje të çmimit të konsumit në Kosovë ka pasur çdo vit – në vitin 2017, 2018 dhe 2019 – dhe përqindja e rritjes së konsumit ka qenë çdo vit e njëjtë. Nuk ka shënuar rritje të ndryshme në raport me vitet paraprake”.
“Në një studim të zhvilluar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Oda Ekonomike, 67% e kompanive të anketuara nga MTI dhe OEK, bëhet fjalë për bizneset prodhuese, kanë rritur shitjet e produkteve të tyre”.
“Vendosja e kësaj mase e cila është e bazuar edhe në ligje, Marrëveshjen e CEFTA-s edhe ligjin për masat mbrojtëse i ka dhënë efektet me prodhuesit vendor dhe me ngritjen e numrit të punësuarve në Kosovë”.
Endrit Shala gjithashtu pohoi se kjo nuk është masa e parë që ka ndërmarrë që kur ka marrë përsipër udhëheqjen me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
“Si Nisma nga momenti që kemi filluar të udhëheqim me këtë dikaster kjo nuk është masa e parë që kemi ndërmarrë. Kemi vendosur masa për mbrojtjen e produkteve të bllokave dhe masa për mbrojtjen e pemëve dhe perimeve”.
“Politikë e Nismës është mbrojtja e produkteve vendore. Siç ka ndodhur me Maqedoninë e Veriut pasi ka aplikuar një ndalesë për produktet e peshkut. Kam vendosur disa ndalesa seri sa kemi arrite ne një zgjidhje te përbashkët”.
Ndërsa nëse pas 6 tetorit Nisma do të jetë pjesë e qeverisë, Shala tha se taksa nuk hiqet.
“Përderisa ekzistojnë të gjitha arsyet ekonomike dhe politike që neve si qeveri na kanë detyruar të marrim një masë të tillë, në si Nismë mendojmë që kjo masë duhet të mbetet në fuqi. Por, në asnjë mënyrë nuk duhet të bllokoje të ardhmen evropiane të Kosovës”.
“Nëse njëherë e largojmë këtë masë, vendimi i marrë nga unë si Ministër i Tregtisë dhe Industrisë që në Kosovë të mos lejohen të futen mallra që Kosovës nuk i referohen si shtet mbetet. Mundësia e futjes së tyre është vetëm nëse Kosovës i referohen dhe e trajtojnë si shtet”.