Shaqir Totaj shpreh zhgënjim për parregullsitë në rinumërimin e votave në Prizren: Do të kërkoj përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë

11:26 | 19 Janar 2026
shaqir-totaj-shpreh-zhgenjim-per-parregullsite-ne-rinumerimin-e-votave-ne-prizren:-do-te-kerkoj-pergjegjesi-dhe-llogaridhenie-te-plote

Kryetari i Komunës së Prizrenit dhe njëherësh kryetar i degës së PDK-së në këtë qytet, Shaqir Totaj  ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me parregullsitë e evidentuara gjatë procesit të rinumërimit të votave, shkruan Gazeta 10.

Totaj është shprehur se është “jashtëzakonisht i zhgënjyer” me situatën e krijuar, duke theksuar se çdo tentim për tjetërësim të votës përbën cenim të drejtpërdrejtë të vullnetit të lirë të qytetarëve, të demokracisë zgjedhore dhe të demokracisë së brendshme partiake.

Ai ka paralajmëruar se, në cilësinë e kryetarit të degës së PDK-së në Prizren, do të kërkojë përgjegjësi dhe llogaridhënie të plotë për çdo shkelje, duke nënvizuar se përgjegjësia është individuale dhe duhet trajtuar në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.

“Ky nuk është PDK-ja për të cilën kemi punuar dhe investuar me vite”, ka deklaruar Totaj, duke shtuar se veprime të tilla nuk përfaqësojnë frymën dhe vlerat e partisë.

Ai ka siguruar qytetarët se Partia Demokratike e Kosovës do të mbrojë vullnetin e votuesve dhe demokracinë në Kosovë, duke vepruar me vendosmëri dhe përgjegjësi për të mirën e vendit dhe të ardhmes së tij, shkruan Gazeta 10.

Në fund, Totaj ka theksuar se parregullsitë e shfaqura, sipas tij, te të gjitha partitë politike – diku më shumë e diku më pak – kërkojnë një rivlerësim tërësor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucionet përkatëse, në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja dhe paprekshmëria e procesit zgjedhor deri në fund./Gazeta 10

Komento: