Shaqiri në top-formë , me dy gola e turpëron United

18:58 | 16 December 2018

Liverpooli ka fituar derbin anglez ndaj Manchester Unitedit me rezultat 3-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të të Ligës Premier.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Liverpoolit, por që të dyja skuadrat arritën të shënojnë nga një gol.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 24-të dhe ishte Sadio Mane, i cili kaloi Reds në epërsi 1-0 pas asistimit të Fabinhos.

Unitedi arriti të kthehet në lojë dhe barazoi rezultat 1-1 me anë të Jesse Lingard, i cili shënoi pas një gabimi të portierit Alisson.

Në pjesën e dytë, skuadra e Jurgen Klopp u hodh edhe më fuqishëm në sulm duke tentuar të gjitha kartat për të arritur fitoren.

Këtë edhe e arriti falë yllit me prejardhje shqiptare, Xherdan Shaqiri, i cili erdhi nga banka rezervë në minutën e 70-të për t’ia siguruar fitoren.

Shaqiri arriti të shënojë golin e epërsinë 2-1 në minutën e 73-të, ndërsa në minutën e 80-të shënoi një gol të bukur për 3-1 duke vulosur rezultatin përfundimtar.

Me këtë fitore, Liverpooli rikthehet në pozitën e parë me 43 pikë, ndërsa Unitedi renditet në vendin e gjashtë me 28 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Reds luajnë në udhëtim te Wolves, ndërsa Djajtë e Kuq udhëtojnë te Cardiff City.

Komento: