Ish-ministri i financave, Haki Shatri, në një prononcim për Front Online tha se projekt buxhetin e propozuar për votim nga Qeveria e Kosovës për vitin 2025 e sheh si buxhet pasiv dhe me një rritje të vogël.
”Ky buxhet është si projeksion, të hyrat që i kanë paraparë 270 milionw më shumë se në vitin 2024. Buxheti i këtij viti, ka qenë shumë më i vogël, ka qenë 3 miliard e 280 milion dhe kjo rritje 280 milion, praktikisht nuk e praktikon mundësinë reale të rritjes së buxheti’’ thotë ai.
Shatri, pretendon se të hyrat e buxhetit do të ishin shumë më të mëdha nëse do të ishte luftuar më mirë me evazionin fiskal, informalitetin dhe korrupsionin.
‘’Të hyrat kanë mundur të ishin shumë më të mëdha nëse ishte punuar më mirë, me evazionin fiskal, informalitetit dhe korrupsionit. Mendoj se buxheti kishte mundur të ishte me këto korrigjimi, kishte mundur të ishte në 3 miliard e 800 milion euro’’ tha ai.
Ish-ministri i ekonomisë, potencon se buxheti i propozuar për votim të hënën është buxhet i që nuk paraqet ndonjë kapacitet financiar.
‘’Ky është buxhet i nënçmuar dhe nuk paraqet ndonjë kapacitet financiar i cili garanton rritje të mirëqenies dhe rritje të zhvillimit ekonomik. Është thjeshtë një lëvizje e rëndomtë e numrave, rritje e paktë dhe me atë dinamik janë rrite edhe të hyrat. Është shumë pasiv si buxhet’’ pohoj Shatri. /FrontOnline/