Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, gjatë protestave të së hënës në komunat veriore.
Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, dënoi veprimet e dhunshme të protestuesve në Zveçan, që shkaktuan lëndime te disa ushtarë të KFOR-it.
Përmes një reagimi, Szunyog tha se BE-ja kërkon ndalimin e menjëhershëm të dhunës.
“BE-ja në Kosovë dënon fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër NATO_KFOR trupat që ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe uljen e tensioneve”, ka shkruar ai në Twitter.
Veprimet e dhunshme të protestuesve serbë në veri i dënuan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA dënon fuqishëm këto veprime, përfshirë përdorimin e eksplozivëve.
”SHBA-të dënojnë fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër NATO_KFOR, trupat që kërkojnë të ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për një ndalim të menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, shkroi Hovenier në Twitter.