
Komanda Qendrore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) tha se sulmet e fundit të saj kanë shënjestruar “qendra komanduese” të Iranit, “sisteme të mbrojtjes ajrore, kapacitete raketore dhe të dronëve dhe ndërtesa për vëzhgim”.
Sulmet amerikane synojnë të degradojnë edhe më shumë aftësinë e Teheranit për të kërcënuar kalimin e anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit.
CENTCOM tha në një postim në X në orët e vona të 15 korrikut se në sulmet e kryera gjatë natës u goditën disa lokalcione, përfshirë në qytetin-port të Bandar Abasit, në jug të Iranit. Ushtria amerikan tha se paraprakisht gjatë 15 korrikut po ashtu goditi objekte të mbrojtjes dhe të raketave lundruese në ishullin Tumbi i Madh.
Ndërkaq, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), përmes dy njoftimeve të ndara të lëshuara më 16 korrik, pretendoi se ka shënjestruar baza ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Jordani.
Në njërën nga deklaratat, IRGC-ja pretendoi se ushtria amerikane kishte përdorur bazat ajrore në Jordani për të kryer sulme ndaj Iranit një natë më parë.
Garda tha se është kundërpërgjigjur me sulme raketore ndaj “zonës ku parkohen aeroplanët luftarakë amerikanë dhe qendrës së re amerikane të komandës dhe kontrollit në Azinë Perëndimore, në bazën ajrore Azrak në Jordani”.
Në deklaratën e dytë, Garda iraniane pretendoi se kishte kryer një sulm të kombinuar me raketa dhe dronë ndaj “qendrës së komunikimeve satelitore, ndaj një objekti të radarëve për paralajmërim në bazën ajrore Ali Al Salem dhe portit ushtarak amerikan në Shuajbah, Kuvajt”.
CENTCOM ende nuk ka reaguar ndaj pretendimeve të IRGC-së.
Megjithatë, agjencia shtetërore e lajmeve e Jordanisë, duke cituar ushtrinë e vendit, raportoi se tetë raketa iraniane u penguan gjatë natës, pa dhënë detaje të tjera.
Ditët e fundit, SHBA-ja dhe Irani kanë intensifikuar armiqësitë në përpjekje për të marrë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit – rrugë kyç për dërgesat globale të naftës dhe gazit.
Konflikti nisi në fund të shkurtit me sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, i cili u kundërpërgjigj me sulme ndaj vendeve fqinje.
Përshkallëzimi i fundit erdhi pas sulmeve të Iranit ndaj anijeve që kalonin nëpër Hormuz. Udhëheqësi amerikan, Donald Trump, deklaroi më pas se për të një memorandum mirëkuptimi i arritur muajin e kaluar kishte marrë fund.
Memorandumi parashihte një periudhë 60-ditore që palët të arrinin një marrëveshje paqeje. Administrata Trump ka thënë se vazhdon të preferojë diplomacinë për zgjidhjen e konfliktit./REL