ShBA-ja i kundërpërgjigjet Kinës, dërgon avionë luftarakë në Paqësor

12:06 | 16 Korrik 2021

ShBA-ja i kundërpërgjigjet Kinës, dërgon avionë luftarakë në Paqësor.

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë avionët e sofistikuar ushtarak F-22 në Paqësorin Perëndimor për të kryer një stërvitje dhe për t’i dërguar mesazh të qartë Kinës, e cila e ka frikësuar Tajvanin me aeroplanë luftarakë dhe ka pretendime territoriale në Paqësor.

Avionët u zhvendosën nga bazat e tyre në Hawaii dhe në Alaska për ta përmbushur stërvitjen “Operation Pacific Iron 2021”, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.

“Ne kurrë nuk kemi pasur kaq shumë avionë luftarakë të zhvendosur së bashku në zonën e operacioneve të Forcave Ajrore të Paqësorit”, tha gjenerali Ken Wilsbach, komandanti i Forcave Ajrore të Paqësorit.

Avionët F-22 Raptors janë avionët luftarakë më të sofistikuar në arsenalin amerikan, prandaj prezenca e tyre në Paqësorin Perëndimor jep një mesazh të qartë sa u përket sigurisë së rajonit dhe kërcënimeve të Kinës.

Ajo që e bën të veçantë këtë avion është teknologjia e tij shumë e avancuar, e cila i mundëson pilotit të ketë pamje prej 360 shkallësh.

Gjithashtu, avioni ka teknologji e cila i mundëson të depërtojë në territorin e armikut pa u kapur nga radarët e tyre.

Komento: