
Ushtria amerikane njoftoi se ka përfunduar një valë të “rëndë” sulmesh ndaj Iranit, në shenjë hakmarrjeje për tentativën e së martës për sulme me raketa balistike kundër forcave amerikane.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se ka goditur “dhjetëra” objektiva të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), si përgjigje ndaj lëshimit të raketave iraniane drejt bazave amerikane në Jordani dhe ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit, shkruan BBC.
Mediat shtetërore iraniane raportuan se sulmet e fundit kanë vrarë tre persona, përfshirë një fëmijë dyvjeçar, në ishullin Qeshm, ndërsa janë goditur edhe zona të tjera në jug dhe perëndim të vendit.
Përshkallëzimi i fundit i luftimeve vjen në një javë gjatë së cilës konflikti është zgjeruar, pasi SHBA-ja dhe Arabia Saudite ndërmorën për herë të parë sulme të përbashkëta të shpallura publikisht kundër grupeve të mbështetura nga Irani në Irak.
Kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ushtarake ndaj Iranit në muajin shkurt, presidenti Donald Trump kishte deklaruar se lufta do të zgjaste vetëm disa javë. Megjithatë, konflikti tashmë ka hyrë në muajin e pestë, pa ndonjë shenjë përfundimi.
Të mërkurën, portali Axios, duke cituar një zyrtar amerikan që nuk u identifikua, raportoi se Trump ishte takuar me ministrin saudit të Mbrojtjes, princin Khalid bin Salman, i cili kishte përcjellë mesazhin se Arabia Saudite dëshiron uljen e tensioneve. BBC-ja ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për koment.
Përplasja SHBA-Iran është riaktivizuar pas disa ditësh qetësie relative.
Për disa ditë, të dyja palët kishin ndalur sulmet, ndërsa raportohej se kishin rifilluar bisedimet me shpresën për një zgjidhje diplomatike. Trump i përshkroi ato si “negociata shumë miqësore”, megjithëse Teherani mohoi se po zhvilloheshin diskutime.
Por, pas sulmit me raketa të Iranit ndaj një baze amerikane në Jordani të martën, Trump u zotua për kundërpërgjigje.
“Do t’i godasim shumë fort, sepse tani është radha jonë për të goditur. Ata e dinë se çfarë po vjen. Na kërkuan të mos e bënim”, u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas CENTCOM-it, vala e fundit e sulmeve amerikane nisi në orën 20:00 sipas kohës lindore të SHBA-së të mërkurën (01:00 sipas orës britanike të enjten) dhe zgjati rreth një orë.
Komanda amerikane e përshkroi operacionin si “një përgjigje të fuqishme ndaj tentativave të djeshme iraniane për të sulmuar forcat amerikane të vendosura në Lindjen e Mesme”. Sipas saj, të gjitha raketat iraniane u interceptuan.
Objektivat e goditura përfshinin qendra komanduese ushtarake, objekte për raketa dhe dronë, pozicione të mbikëqyrjes dhe mbrojtjes bregdetare, si dhe kapacitete detare.
Agjencia shtetërore iraniane IRIB raportoi se ishujt Qeshm dhe Abadan, të dy me rëndësi strategjike për industrinë e naftës, ishin ndër zonat e goditura.
Sipas agjencisë Fars, duke cituar Universitetin e Shkencave Mjekësore të Hormozganit, “një sulm amerikan ndaj një shtëpie banimi në lagjen Chah Tangu të ishullit Qeshm vrau tre anëtarë të një familjeje: babanë, nënën dhe fëmijën e tyre dyvjeçar”.
Ndërkohë, forcat e armatosura të Jordanisë njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan me sukses pesë raketa iraniane që synonin territorin e mbretërisë të enjten.
Të martën, Garda Revolucionare Islamike deklaroi se kishte goditur një bazë ajrore amerikane dhe një qendër komanduese në Jordani “si përgjigje ndaj akteve agresive të ushtrisë amerikane vrasëse të fëmijëve”.
Ajo gjithashtu njoftoi se forcat detare iraniane kishin goditur tre cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, pasi, sipas saj, ato “kishin shpërfillur paralajmërimet” dhe kishin lundruar përgjatë një rruge që Irani e cilësoi si “të pasigurt dhe të paligjshme” në këtë korridor detar strategjik të Gjirit.