
Ushtria amerikane njoftoi se ka ndërmarrë një tjetër valë sulmesh ndaj Iranit për të “dobësuar më tej” aftësinë e tij për të sulmuar anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit.
Këto sulme janë nata e dhjetë radhazi e bombardimeve. Ato vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump u zotua se do ta ndëshkojë Iranin për vrasjen e ushtarëve amerikanë.
Si kundërpërgjigje, Irani tha se goditi dy cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, si edhe objekte ushtarake amerikane në Bahrejn, Kuvajt dhe Jordani, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se vendi i tij tashmë po zhvillon një “luftë të plotë” me Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë, Trump tha më herët se Irani ishte goditur “shumë rëndë” një natë më parë, “në nder të” tre ushtarëve amerikanë të vrarë së fundmi – dy në Jordani dhe një në Irak.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se sulmet e fundit kishin në shënjestër qendra ushtarake komanduese, kapacitete detare, baza për lëshimin e raketave dhe dronëve, si edhe sisteme të mbrojtjes ajrore të Iranit.
Shpërthime u raportuan pranë qytetit veriperëndimor të Tabrizit, ku mediat shtetërore thanë se një person humbi jetën dhe disa të tjerë u plagosën. Shpërthime pati gjithashtu pranë porteve Bandar Mahshahr dhe Bandar Imam Khomeini në Gjirin Persik, si edhe në portet juglindore Chabahar dhe Konarak.
CENTCOM theksoi se, pavarësisht sulmeve, anijet tregtare vazhdojnë të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Nga ana tjetër, Irani tha se forcat e tij goditën dy cisterna nafte teksa po kalonin në atë që e quajti “rruga jugore e pasigurt dhe e rrezikshme” e ngushticës. Sipas mediave shtetërore, ekipet e shpëtimit po evakuonin ekuipazhet e tyre.
Agjencia britanike për Operacionet Tregtare Detare (UKMTO) njoftoi se një cisternë në Ngushticën e Hormuzit raportoi se ishte goditur nga një predhë e paidentifikuar, duke detyruar ekuipazhin ta braktiste anijen dhe të hipte në një varkë shpëtimi.
Nuk është ende e qartë nëse kjo cisternë është njëra nga dy anijet që Irani tha se kishte goditur.
Sipas të dhënave paraprake të kompanisë së inteligjencës detare Kpler, të hënën gjashtë cisterna karburanti dhe anije mallrash kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit. Dy prej tyre kishin qenë më parë nën sanksione amerikane për lidhje me Iranin.
Ky numër është më i ulët krahasuar me tetë anijet që kaluan më 19 korrik. Pothuajse të gjitha kalimet më 20 korrik u bënë përgjatë rrugës veriore, pranë brigjeve iraniane.
Gjithashtu, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) pretendoi se kishte goditur një qendër të dhënash të kompanisë amerikane Amazon në Bahrejn.
Sipas agjencisë IRNA, IRGC deklaroi se “shkatërroi infrastrukturën qendrore të të dhënave të kompanisë amerikane Amazon në Bahrejn me disa raketa lundruese.”
Jordania njoftoi të martën se kishte rrëzuar pesë dronë, pasi një natë më parë kishte bërë të ditur se kishte rrëzuar edhe tre raketa. Bahrejni tha se dronët iranianë kishin në shënjestër sistemet e navigimit ajror, por trafiku ajror nuk u ndërpre. Edhe forcat e armatosura të Kuvajtit thanë se kishin rrëzuar dronë iranianë.
Ndërkohë, Teherani bëri të ditur se, pavarësisht dështimit të armëpushimit, mesazhet diplomatike vazhdojnë të shkëmbehen mes palëve përmes ndërmjetësve.
Të hënën në mbrëmje, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes konfirmoi identitetin e dy ushtarëve amerikanë të vrarë në sulmin iranian ndaj bazës Muwaffaq Salti në Jordani gjatë fundjavës: ushtarja Isabella Gonzales, 19 vjeçe, nga Teksasi, dhe togeri Tyler James Feehan, 25 vjeç, nga Havai.
CENTCOM kishte njoftuar më herët se një ushtar i tretë ishte shpallur fillimisht i zhdukur pas sulmit, ndërsa më vonë në zonë u gjetën mbetje mortore që besohet se i përkisnin atij.