Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar në lidhje me takimin e së martës mes Kurtit dhe Vuçiqit të zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.
SHBA thotë se ka pasur përparim por mbetet ende punë e vështirë përpara.
“Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Departamenti i Shtetit ka thënë se themelimi i Asociacionit mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend i pavarur dhe sovran.
“Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord të martën se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në takimin në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u pajtuan për përmbajtjen e propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.