SHBA-të mbështesin Britaninë që emërimet në poste publike të bëhen në bazë të meritave

16:00 | 28 March 2019

Edhe SHBA-ja si Britania, po kërkon që emërimet në poste publike të bëhen në bazë të meritave.

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë gjatë ditës së sotme tha të jetë e zhgënjyer me vendimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të datës 28 shkurt, për mosvotimin e asnjërit prej kandidatëve të rekomanduar nga partneri zbatues i Projektit të rekrutimit në pozitën e kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Dështimi i deputetëve të votojnë njërin nga kandidatët e rekomanduar, sipas Ambasadës Britanike, ka rezultuar me rishpalljen e konkursit për këtë pozitë.

“Andaj, ne publikisht njoftojmë se projekti ynë nuk do të mbështesë ripërsëritjen e procesit rekrutues për pozitën e njëjtë të kryesuesit të Bordit të ZRRE-së”, thuhej në njoftimin e kësaj ambasade.

Ndërkaq, mbështetje këtij vendimi i ka dhënë edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

“Mbështes plotësisht përpjekjen e Britanisë së Madhe për punësime meritore – kjo çështje është qenësore për të garantuar prosperitet për Kosovën”, ka shkruar Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Ambasada Britanike tha se është shumë e kujdesshme se si i shpenzon paratë e taksapaguesve britanikë.

“Ne nuk do të financojmë procese rekrutuese shtesë, kur nuk ka arsye përse ato të përsëriten përveç mungesës së vullnetit për të emëruar kandidatë të përgatitur”, u potencua në komunikatën e kësaj Ambasade.

Komento: