SHBA-të mbështetin themelimin e ushtrisë së Kosovës

21:35 | 06 December 2018

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë sot se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

Në një për RTK-në, Kosnett, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë Kosovën si rrëfim të shkëlqyeshëm të suksesit.

“Kemi thënë që është rrëfim suksesi për SHBA-në, por ç’është më e rëndësishmja është se është rrëfim i suksesshëm për popullin e Kosovës. Dhe mund t’ju them që në muajt që i kalova në Washington duke u përgatitur për këtë detyrë, u takova me shumë njerëz, nga qeveria, nga Kongresi, si dhe jashtë qeverisë, dhe mendoj se përkushtimi i Amerikës për të ardhmen e Kosovës është i palëkundur”, ka thënë Kosnett. “Në fakt, do të thoja se është fushë ku ka konsensus të plotë ndërmjet republikanëve dhe demokratëve, ndërmjet qeverisë, administratës dhe Kongresit. Të gjithë ndjehen që Kosova është mike shumë e afërt e Kosovës dhe jemi thellësisht të përkushtuar për ta mbështetur Kosovën”, ka shtuar më tej ai.

Ambasadori Kosnett ka thënë tutje se ka shumë çështje ku Ambasada do të vazhdojë të punojë shumë ngushtë me kosovarët.

“Siguria ekonomike është kritike për investimet e jashtme dhe për krijimin e vendeve të punës. Po ashtu, jemi të përqendruar në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, që mbetet prioritet shumë i lartë për ne. Pastaj është edhe çështja e sigurisë. Siguria ka shumë kuptime dhe shumë aspekte. Sigurisht që në krye të agjendës është t’i mbështesim përpjekjet e prijësve në Kosovë dhe në Serbi për ta gjetur një mënyrë për të ecur përpara në dialog për ta arritur një zgjidhje të levërdishme për të dy palët, e cila do t’i ndihmojë prosperitetin dhe sigurinë e të dy qeverive në të ardhmen”, ka thënë Kosnett. “Po ashtu, sa i përket sigurisë, ne vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë me Kosovën në çështjet kundër terrorizmit dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm – një varg çështjesh që ndërlidhen me sigurinë”, ka thënë ai.

Ambasadori Kosnett ka thënë se Kosova është prioritet shumë i madh në politikën e jashtme amerikane.

“Në fakt, do të thosha që administrata e tanishme në Washington është më e interesuar për të mbështetur jo vetëm Kosovën, por gjithashtu përparimin në rajonin e Ballkanit, se që e kam parë me vite të tëra. Kjo është një administratë që i shikon problemet afatgjata dhe thotë: duhet t’i shkundim gjërat; duhet të gjejmë mënyrën për të shkuar përpara”, ka thënë ai.

Kur është pyetur për taksën prej 100% për mallrat që hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, Kosnett ka thënë se “ka më pak se një javë që është kthyer në Kosovë dhe në këtë pikë, dëshiron të dëgjojë nga shumë njerëz dhe të marrë mendimet e tyre para se të fillojë të bëjë shumë deklarata të mëdha”.

“Megjithatë, besoj, dhe qeveria ime beson, se ky është moment kritik në procesin e dialogut dhe se është me rëndësi për Kosovën dhe Serbinë për t’iu qasur këtij procesi në frymën e bashkëpunimit. I kuptoj sfidat për këtë; dua të them se e di historinë e vendit – por, t’i qasen në frymën e bashkëpunimit për të gjetur një mënyrë për të ecur përpara”, ka thënë Kosnett. “Kur flasim për dialogun në Washington, atëherë flasim për diskutime gjithëpërfshirëse për të gjitha çështjet që i kanë ndarë të dy vendet për shumë vite. Çka duhet të shohim është proces që përfundon me marrëveshje nga e cila përfitojnë të dy vendet. Të gjithë negociojmë në jetën tonë të përditshme. Negociojmë me familjet tona, me fqinjët, afaristët negociojnë – nuk janë vetëm qeveritë dhe diplomatët që negociojnë”, ka thënë Kosnett. “Një gjë që mendoj se është kritike për negociata të suksesshme është se duhet të jenë të levërdishme për të dy palët, ashtu që të dy palët të kenë stimulim për t’i përmbushur detyrimet e tyre, për t’iu përmbajtur marrëveshjeve për të ecur përpara. Dhe çdo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë jetëgjatë, duhet të jetë e qëndrueshme, dhe ta them sërish, duhet të jetë e levërdishme për të dy palët. Mendoj se nganjëherë njerëzit hyjnë në negociata me frymën: do t’i fitoj këto negociata; do ta mposhti palën tjetër. E kur e bën këtë, atëherë është mjaft e vështirë që pala tjetër të ketë besimin e nevojshëm për të parë që një negociatë zbatohet me sukses. Pika e fundit këtu, kur flasim për zbatimin e marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përqendruara për të ardhmen e Kosovës, por po ashtu edhe për stabilitetin e tërë rajonit të Ballkanit. Kemi çdo arsye për të dashur që të qëndrojmë përkrah jush për tu siguruar që nëse qeveritë zotohen për diçka, atëherë ato iu përmbahen atyre. Nuk do qëndrojmë duke duartrokitur gjatë nënshkrimit të një cope letre dhe pastaj të kalojmë te kriza e ardhshme”.

Në komentin se “qeveria e Kosovë e mori këtë masë, siç e thashë, pas dështimit për të hyrë në Interpol, por qeveria po ashtu thotë se kjo masë është pasqyrim i pengesave të vazhdueshme të Serbisë ndaj Prishtinës, dhe për arsye se Beogradi nuk i ka respektuar marrëveshjet e nënshkruara më përpara”, ambasadori Kosnett është përgjigjur se të dy qeveritë kanë ndërmarrë hapa për të treguar se kanë mundësi, se kanë vegla që mund t’i përdorin kundër palës tjetër.

“Të dy qeveritë, sinqerisht, kanë treguar se mund të jemi të fortë – mund t’i dalim zot vetes. Sinqerisht, më me dëshirë do të shihja garë që nuk është kush mund të jetë më i vështirë, por garë kush mund të jetë më kreativë dhe progresivë në përpjekje për të gjetur mënyra për të ecur përpara. Mendoj se është shumë e rëndomtë në negociata që të haset në pengesa, që të arrihet në një fazë të vështirë dhe që palët të tërhiqen në këndin e tyre dhe të mendojnë çka të bëjnë më tej. E di se disa njerëz janë të shqetësuar që procesi i dialogut është në një fazë të vështirë, por kjo është mjaft e rëndomtë në negociata. Përparon, pastaj bën një hap prapa, pastaj sërish ec përpara. Po ashtu, mendoj se është me rëndësi që strategjia negociuese dhe pozicioni negociues i Kosovës të pasqyrojë një gamë të gjerë të mendimeve politike dhe gamë të gjerë të mendimeve popullore. E në këtë aspekt, e jam i sigurt që do t’i kthehemi kësaj sërish, SHBA-ja mendon se është me rëndësi që të dëgjohet çdo zë në Kosovë, që pjesëtarët e të gjitha komuniteteve, të të gjitha partive politike, si gratë, si burrat, kanë hise në të ardhmen e vendit të tyre dhe të ndjejnë që zëri i tyre po dëgjohet dhe po respektohet”, ka thënë Kosnett.

Ambasadori Kosnett ka thënë se “disa njerëz kanë keqkuptuar që SHBA-ja ka shtyrë për një lëvizje të kufirit apo shkëmbim të territorit”.

“Eprorët e mi në Washington janë përpjekur që ta sqarojnë se jemi të interesuar për një marrëveshje të negociuar në mirëbesim nga të dy palët. ShBA-ja nuk ka ndonjë paragjykim se çka mund të përfshijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse nga dialogu. Mund të jetë që të dy palët të vendosin – sinqerisht në mirëbesim – për të bërë një rregullim të kufirit. Ata mund të vendosin që të mos e bëjnë këtë, dhe më besoni se i kuptoj shqetësimet e thella, arsyet historike, se pse rregullimi i kufirit është shumë i ndërlikuar”, ka thënë Kosnett. “Sërish, dëshiroj ta theksoj se qeveria ime nuk po shtyn për këtë gjë. Jo domosdoshmërisht e shohim këtë si çelës të dialogut. Mendoj se një pjesë e madhe e diskutimit në dialog është përqendruar në këtë. Mendoj se diskutimi për kufirin është vetëm një aspekt i një game të gjerë të diskutimeve që duhet të mbahen ndërmjet dy vendeve, që gjithashtu duhet të prekë bashkëpunimin ekonomik, sigurinë, kulturën, edukimin, drejtësinë, sidomos drejtësinë – një gamë të gjerë të çështjeve për të cilat duhet të flasin të dy qeveritë dhe është me rëndësi që të mos mbërthehen vetëm në një aspekt të problemit”, ka thënë Kosnett.

“Pra, jemi përpjekur ta bëjmë të qartë se nuk kemi paragjykime. Nuk po themi që çështje të caktuara nuk do të duhej të diskutoheshin dhe nuk po themi se kërkohen rezultate të caktuara. Serbia dhe Kosova janë partnerët negociatorë. Ato janë dy vende sovrane, të pavarura. Ne gjithmonë do ta mbështesim Kosovën. Me: ‘Do ta mbështesim Kosovën’, nuk mendoj se do të pajtohemi verbërisht për çdo ide që vjen nga qeveria në Prishtinë. Por, do ta mbështesim Kosovën në përpjekje për të vënë paqe, prosperitet, drejtësi në vend dhe në rajon”, ka thënë më tej Kosnett. “Ne nuk i shohim këto qëllime si kundërthënëse të qëllimit më të gjerë – të dëshirës së të njëjtave gjëra për vendet e tjera në rajon. Mendoj se është me rëndësi të theksojmë se jemi të gatshëm për t’i mbështetur palët për të ardhur te një përmbyllje e qëndrueshme, e levërdishme për të dy palët, por nuk jemi ne duke e shkruar skenarin”, ka shtuar më tej.

Ambasadori ka thënë se ngurron të sugjeroja çfarëdo afati kohor apo afati përfundimtar për dialogun mes Kosovës e Serbisë, por gjithashtu ka thënë se mendon se koha është e rëndësishme.

“Është me rëndësi për të lëvizur përpara sa më shpejt që është e mundur dhe sinqerisht, kjo është për arsye se siç e thashë më herët, qeveria ime është me të vërtetë e fokusuar për të arritur përparim në rajon tani. E keni vëmendjen tonë të plotë; mbështetjen tonë të plotë. Është mundësi e shkëlqyeshme dhe nuk mendoj se kushdo, nga cilado anë, apo njerëzit e cilitdo vend përfitojnë diçka duke e vonuar procesin e negociatave. Prandaj, mendoj se koha për të bërë diçka, zakonisht, është pikërisht tani”, ka thënë ai.

Komento: