Shefi i NATO-s kërkon kosto për Kinën për shkak të mbështetjes së Rusisë

08:24 | 18 Qershor 2024
shefi-i-nato-s-kerkon-kosto-per-kinen-per-shkak-te-mbeshtetjes-se-rusise

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Kina po i ofronte Rusisë teknologji që po zgjat pushtimin rus të Ukrainës dhe i bëri thirrje Pekinit të përballet me pasojat e kësaj mbështetjeje.

“Pekini nuk mund të ketë të dyja anët. Në një moment – dhe nëse Kina nuk ndryshon kursin – aleatët duhet të imponojnë një kosto. Duhet të ketë pasoja,” tha Stoltenberg më 17 qershor në Qendrën Wilson në Uashington.

Stoltenberg tha se në dy vitet e fundit 90 për qind e mikroelektronikës ruse e kishte origjinën në Kinë dhe se ky vend po punon për të përmirësuar aftësitë satelitore ruse.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha gjithashtu se Kina po vazhdon t’i sigurojë Rusisë komponentë për pajisjet ushtarake dhe sistemet e armëve.

Duke folur në një konferencë më 17 qershor, ai tha se mikroelektronika kishte ndihmuar “të forcohej…ajo që do të kishte qenë një bazë industriale e mbrojtjes ruse me të vërtetë e shkatërruar”.

Kirby shtoi se Shtetet e Bashkuara e kishin ngritur këtë çështje me Kinën.

Rusia gjithashtu ka ndërtuar marrëdhënie me Korenë e Veriut.

Presidenti rus, Vladimir Putin do ta vizitojë Korenë e Veriut këtë javë, për herë të parë që 24 vjet.

Një udhëtim i tillë i rrallë do të zhvillohet teksa Moska rrit partneritetin me këtë shtet që ka armë bërthamore.

Lideri verikorean, Kim Jong Un i pati bërë ftesë Putinit për vizitë, gjatë udhëtimit që ai e ka pasur në Lindje të Largët të Rusisë, në shtator të vitit të kaluar.

Marrëdhëniet e thelluara janë një shqetësim për Shtetet e Bashkuara, tha Kirby.

“Ne e dimë se raketat balistike të Koresë së Veriut po përdoren për të goditur objektivat ukrainase”, tha ai.

Si Pheniani ashtu edhe Moska kanë mohuar akuzat për transferimin e armëve të Koresë së Veriut, të cilat do të ishin në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sekretari i Përgjithshëm tha se lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës do të jetë “tema më urgjente” për diskutim në samitin e NATO-s që do të mbahet nga 9 deri më 11 korrik, së bashku me shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s.

Megjithëse Ukraina nuk do të bëhet anëtare e aleancës në samitin e Uashingtonit, Stoltenberg tha se NATO do të “ndërtojë një urë” për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës.

“Ne po ndihmojmë që forcat e armatosura të Ukrainës të jenë gjithnjë e më shumë të ndërveprueshme me NATO-n, të përmbushin standardet e NATO-s”, tha Stoltenberg.

“Ideja është t’i afrojmë ata aq afër anëtarësimit, saqë kur të arrijmë një konsensus, t’i bëjmë ata anëtarë menjëherë”.

Ukraina po përballet me pushtimin rus që prej shkurtit të vitit 2022./REL

Komento: