Shefi i OBSH-së shpreson se koronavirusi do të mposhtet në vitin 2022

17:19 | 31 December 2021

Shefi i OBSH-së optimist se koronavirusi do të mposhtet në vitin 2022

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë shprehu optimizëm se pandemia e koronavirusit do të mposhtet në vitin 2022, me kusht që vendet të punojnë së bashku për të frenuar përhapjen e tij.

Në mbarë botën njerëzit po shënojnë vitin e ri, por festimet janë të heshtura, me shumë vende që paralajmërojnë kundër grumbullimit në turma.

Koronavirusi mbetet pjesë e jetës së përditshme: një sëmundje që ka mbyllur kufijtë, ka ndarë familjet dhe në disa vende e ka bërë të pamendueshme daljen nga shtëpia pa mbajtur maskë.

Pavarësisht gjithë kësaj, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesu dha një notë pozitive në fjalimin e tij, duke vënë në dukje se tani ka shumë më tepër mjete për të trajtuar COVID-19.

Por ai tha se pabarazia e vazhdueshme në shpërndarjen e vaksinave po rriste rrezikun e evoluimit të virusit.

“Nacionalizmi i ngushtë dhe grumbullimi i vaksinave nga disa vende kanë minuar barazinë dhe kanë krijuar kushtet ideale për shfaqjen e variantit Omicron, dhe sa më gjatë të vazhdojë pabarazia, aq më të larta janë rreziqet e virusit që evoluon në mënyra që ne nuk mund ta parandalojmë ose parashikojmë”, tha ai.

“Nëse i japim fund pabarazisë, ne i japim fund pandemisë”, shtoi ai.

Në komentet e tij, Dr Tedros aludoi gjithashtu për normat e ulëta të vaksinimit.

Rastet globale me COVID-19 kanë arritur në 287 milionë, ndërsa gati 5.5 milionë njerëz kanë vdekur, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa shumica e popullsisë në Evropë dhe Amerikë ka marrë të paktën një dozë, një objektiv i OBSH-së për shkallën e plotë të vaksinimit në 40 përqind të çdo vendi deri në fund të vitit 2021 është humbur në pjesën më të madhe të Afrikës.

Dr Tedros ka kritikuar më parë kombet më të pasura për “gëlltitjen” e furnizimit global të vaksinave, duke vaksinuar plotësisht shumicën e popullatës së tyre, ndërsa të tjerët presin dozat e tyre të para.

OBSH ka vendosur një objektiv të ri për vitin 2022: vaksinimin e 70 përqind të njerëzve në të gjitha vendet deri në korrik për t’i dhënë fund pandemisë.

Komento: