Shefi i OKB-së citon vargje nga Kur’ani

11:37 | 18 March 2021

Urrejtja dhe diskriminimi ndaj myslimanëve janë rritur deri në atë pikë sa kanë marrë “përmasa epidemike”, paralajmëroi të mërkurën Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Kështu shkruan Anadoly Agency, sipas të cilit medium Guterres përshkroi rritjen e mprehtë të intolerancës ndaj myslimanëve si pjesë e një kthese më të gjerë globale drejt nacionalizmit dhe largimit nga të drejtat e pakicave, përcjell Telegrafi.

“Rigjallërimi i intolerancës ndaj myslimanëve është sigurisht në përputhje me prirjet e tjera shqetësuese që ne po shohim globalisht: ringjallja e etno-nacionalizmit, neo-nazizmit, stigmatizimit dhe gjuhës së urrejtjes drejtuar popullatave të prekshme, përfshirë myslimanët, hebrenjtë, disa komunitete të pakicave të krishtera, dhe të tjerët”, citohet të ketë thënë Guterres në një ngjarje të OKB-së duke shënuar Ditën Ndërkombëtare kundër Islamofobisë.

Ai gjithashtu ka thënë se komunitetet pakicë kanë nevojë për mbrojtje shtesë.

“Komunitetet e pakicave janë pjesë e pasurisë së strukturës sonë kulturore dhe shoqërore. Sidoqoftë, ne mund të shohim jo vetëm forma diskriminimi por edhe politika asimilimi që kërkojnë të fshijnë identitetin kulturor dhe fetar të komuniteteve pakicë”, ka shtuar ai.

Në këtë kontekst, ai më pas ka cituar vargje nga Kur’ani, duke thënë se larmia është një thesar për të gjithë njerëzimin.

“Siç na kujton Kur’ani i Shenjtë: popujt dhe fiset u krijuan për t’u njohur me njëri-tjetrin. Diversiteti është pasuri, jo një kërcënim”, citohet të ketë theksuar shefi i OKB-së.

Dita Ndërkombëtare kundër Islamofobisë, e cila po mbahet për herë të parë këtë vit, po shënohet pas sulmit në dy xhami në Christchurch, Zelanda e Re më 15 mars të vitit 2019, kur 51 njerëz u vranë dhe u plagosën 49 të tjerë.

Komento: