Me 19 maj do të mbahen zgjedhjet e jashëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës.
Veriu i Kosovës është nën tension tani në prag të zgjedhjeve, por kërcënimet, shantazhet apo edhe dhuna në përgjithësi nuk do të tolerohen, ka thënë drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, të mërkurën gjatë raportimit para Komisionit për të Drejtat e Komuniteteve.
Bashkë me të, rreth sigurisë në vend ka raportuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Të dytë kanë deklaruar se incidentet që kanë motive ndëretnike janë në rënie e sipër. Për parandalimin e dhunës, Qalaj ka thënë se janë duke i ndërmarrë masat e nevojshme, së bashku edhe me akterët e tjerë të sigurisë.
I pyetur nga deputetët për situatën aktuale në veri, kur pritet të mbahen zgjedhjet lokale, Qalaj ka thënë se është evidente se situata është tensionuar, shkruan sot Koha Ditore.
“Situata momentalisht është stabile, edhe pse bukur shumë e tensionuar tani në prag të zgjedhjeve. Edhe qytetarët janë nën tension”, ka theksuar ai.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se shpejt do të ndodhin ndryshime në strukturën rajonale dhe në disa stacione policore në atë pjesë.
“Me disa takime, që i kemi pasur me Ambasadën amerikane dhe me kolegë të tjerë, kemi nxjerrë një mesazh të qartë se policia dhe politika janë dy gjëra krejt të ndryshme. Ne duhet te fokusohemi vetëm në çështje policore. Ndërkaq, obligimet që vijnë nga marrëveshjet në Bruksel janë një segment tjetër. Mirëpo, është e pafalshme dhe nuk ka kuptim që të mos parandalohen veprat e zjarrëvënieve, hedhjes së granatave, kërcënimeve të ndryshme ndaj qytetarëve”, ka thënë Qalaj.