Humbja e dy jetëve në Prishtinë nga gjuajtja me armë, Shefqet Krasniqi e hoxhallarë tjerë kërkojnë pajtimin e familjeve.
Dy të vdekur e tre të plagosur ishte bilanci i përgjakshëm i ngjarjes tragjike të gjuajtjes me armë javën e kaluar në Lagjen e Spitalit në Prishtinë.
Familjet Rafuna e Mehmeti, të cilat ishin pjesë e këtij konflikti, raportohet se tash e 50 vite ishin fqinjë mes vete, dhe se më herët nuk kishin pasur probleme, shkruan lajmi net.
Për të ulur tensionet dhe për t’u ndalur gjakmarrja, këto familje janë vizituar sot nga ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi.
Krasniqi, bashkë me hoxhallarë të tjerë kërkuan nga familjet t’i shtrijnë dorën e pajtimit njëra tjetrës.
Kjo është bërë e ditur përmes një postimi në Facebook, nga vetë hoxha Shefqet Krasniqi.
Postimi i plotë:
Sot gjatë ditës hoxhë Shefqet Krasniqi dhe hoxhë Fatmir Latifi me bashkëpuntor vizituan dy familjet e prekura nga gjakëderdhja e javës së kaluar në lagjën Mati 1 – Prishtinë.
Me këtë rast familjeve ju shprehën ngushllime dhe i lutën dy familjet që t’i ulin tensioniet, të pendohen për veprën e bërë dhe të mundohen bashkarisht me dal prej kësaj gremine sa ma shpejtë, duke ja shtrirë dorën e pajtimit njëri tjetrit dhe duke u zotuar se më nuk do të përsëriten gjëra të tilla.
Hoxhollarët i falenderuan familjarët për mikpritje dhe shprehën gatishmëri për me hec në këtë drejtim deri sa të vijë tek pika e fundit, pajtimi.