
Në 27-vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj dhe Hasim Halilaj, në Kompleksin Memorial në Gllogjan janë bërë homazhe.
Haradinaj me shokë ra në mbrojtje të civilëve në Duboçakë të Maznikut.
Kryetari i AAK-së dhe ish-komandanti Ramush Haradinaj, deklaroi se prilli i vitit 1999 ishte moment shumë vendimtar, pasi sipas tij duhej të merrej vendim ose të ndalohej ekspedita serbe, ose të heshtej fakti se forcat serbe do të masakronin familjet e tyre.
“Nuk është aq e thjeshtë sepse ishte një kohë e gjatë në luftë dhe ishin momente shumë vendimtare, pra prilli 1999….Vendimi i marrë ka qenë spontan nuk ka qenë i marrë me komandë, por ka qenë vendim i vet heronjve që sot i kujtojmë me shkua me ndalë një ekspeditë të ushtrisë serbe, të forcave serbe që kishin marrë atë drejtim te një vendndodhje të familjeve të civilëve shqiptarë që ishin strehuar, pra në një luginë në Duboçakë ishin shumë familje, shumë fëmijë, kish një kohë të gjatë që ishin ashtu edhe ata ishin në vështirësi me ushqime, me probleme dhe tani ishte një moment tepër i vështirë edhe i imi si me veprua a me dhënë një urdhër më shku me ndalë një ekspeditë serbe me aq pak potencial që ne kishim. Ekspedita ishte shumë e madhe… apo me hesht faktin se forcat serbe po shkojnë me i masakrua familjet tona, civilët e pambrojtur, gratë, fëmijët. Për fat këta ma lehtësuan mua nuk më lan mua me marr vendim, këta morën vet vendim”, tha Haradinaj.
Kurse, Gazmend Syla, nënkryetar i OVL- UÇK-së, tha se 16 prilli i vitit 1999 ishte dita më e rëndë e luftës.
“16 prilli i vitit 1999 nuk ishte thjeshtë një datë, është dita më e rëndë e luftës, është plagë, por është edhe skenari, është një datë që do të mbahet mend sat ë ketë diell mbi këtë tokë. Atë ditë Gllogjani nuk flijoi vetëm luftëtarë por skaliti në përjetësi historinë se si u fitua liria. Heroizmi i kreshnikëve të Gllogjanit nuk është vetëm kujtim, ai është testament për brezat që vijnë. Shkëlzen Hilmi Haradinaj udhërrëfyesi jonë për luftëtarët e rinj ai ishte më shumë se komandant, ishte prind, kur gabonin ai i mësonte, kur lodheshin ai i ngrinte, kur humbnin shokë ai iu bëhej forcë. Dora e tij mbi kokat e tyre ishte bekim, përqafimi i tij ishte frymëzim. Shkëlzenin nuk e përthekojnë të gjitha fjalët e lavdisë, figurën e tij e përthekojnë vetëm dy fjalë Kosova e pavarur sepse Kosova e pavarur është Shkëlzen Haradinaj”, deklaroi Syla.
Pas ceremonisë së homazheve ka nisur edhe ecja në këmbë, e njohur si “Shtegu i lirisë”, nga Gllogjani drejt Maznikut, në vendin ku ata ranë heroikisht.
Kujtojmë se gjeneral Shkëlzen Haradinaj, ishte komandant për Operacione Luftarake i Zonës Operative të Dukagjinit dhe me tre eprorët e lartë të Brigadës 131 ”Jusuf Gërvalla”, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, ranë në betejën e Maznikut.
Shkëlzen Haradinaj u lind më 25 mars 1970 në Gllogjan dhe konsiderohet si njëri ndër figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sinonim i shumë betejave të Dukagjinit./EO/